Tragjedia e paralajmëruar në galerinë e kromit në Tropojë/ Minatorët punonin pa asnjë kusht sigurie, porta me drurë të kalbur
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Kepenek të Tropojës, ku dy burra gjetën vdekjen në galeritë e kromit, Policia e Kukësit tha se ka arrestuar administratorin e kompanisë private që merrej me nxjerrjen e kromit nga nëntoka.
Në pranga përfundoi 45- vjeçari Adriatik Rexha, banues në qytetin e Bajram Currit. “Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’, shtetasin A. R., 45 vjeç, banues në Bajram Curri, me detyrë drejtues teknik në subjektin për shfrytëzimin e kromit. Arrestimi i tij u bë sepse më datë 19.03.2022, në fshatin Lajthizë, për shkak të mos marrjes së masave për sigurimin teknik nga ana e tij, në galerinë minerare, kanë humbur jetën dy punëtorë, shtetasit A. D., 41 vjeç dhe A. Zh., 40 vjeç”, sqaroi Policia.
NGJARJA
Ka qenë ora 11:55 e së shtunës së shkuar kur në fshatin Lajthizë, të Njësisë Administrative të Bytyçit, është shembur një masiv dheu në një nga galeritë e minierës, duke zënë poshtë dy persona, përkatësisht 41- vjeçarin Adil Dautaj dhe 43- vjeçarin Afrim Zhutaj. Menjëherë, në vendin e ngjarjes shkuan forcat e Policisë së Tropojës dhe autoambulancat.
Pas dhënies së alarmit për shembjet në galeri rreth 1 mijë metra nën tokë, një grup nga Reparti i Inspektim- dhe Shpëtim-Minierave nisën kërkimet dhe, pas disa orësh, dy burrat u nxorën të vdekur nga një prej galerive të kompanisë “Editi-A”. Zhutaj ishte baba i 3 fëmijëve, ndërsa Dauti ka 2 fëmijë. Disa orë më pas, drejtuesi teknik i subjektit, 45- vjeçari Adriatik Rexha, u vu në pranga.
Për shkak të detyrës, sipas Policisë, ai duhej të merrte masat e sigurimit teknik para se minatorët të zbrisnin nën tokë. Por nga të dhënat e para, kjo nuk ka ndodhur, ndaj 45- vjeçari akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në Punë. Tragjedia e radhës nën tokë u shënua në një minierë kromi në fshatin Lajthizë të Tropojës, zonë e thellë malore, ku ka disa galeri të vogla.
Në rrethana që ende po hetohen, shembja ndodhi në rreth 1000 metra thellësi. Adil Dautaj dhe Afrim Zhutaj humbën jetën, ndërsa 4 minatorë të tjerë arritën të shpëtojnë. Në vitin 2017, një minator u vra dhe një tjetër u plagos rëndë në minierë. Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri, pasi në vazhdimësi ka aksidente të rënda. Në 5 vitet e fundit, përllogaritet se janë më shumë se 35 minatorë që kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga aksidentet në galeri.
GALERIA, PA ASNJË KUSHT SIGURIE
Galeritë e kromit ndodhen rreth 1500 metra larg fshatit Kepenek në krahinën e Bytyçit në Tropojë. Galeritë shfrytëzohen për nxjerrjen e kromit dhe për përfitimet që vijnë më pas prej tij, dhe për pasojë, kushtet e sigurisë janë thuajse inekzistente. Porta hyrëse e galerisë mbahet me drurë gjysmë të kalbur dhe disa kavo, ndërsa situata nëntokë është edhe më e rëndë.
Galeritë janë shfrytëzuar prej dekadash, por asnjëherë nuk janë ndërmarrë masa serioze sigurie për të mos rrezikuar jetët e minatorëve që gërmojnë në thellësitë e tokës për të nxjerrë kromin. Banorët thonë se minierat atje datojnë që prej Luftës së Dytë Botërore.
VIKTIMAT NËPËR MINIERA
Në 6 vitet e fundit, mbi 30 minatorë kanë humbur jetën nga aksidentet nëpër galeritë e kromit, ndërsa numri më i madh i viktimave regjistrohen në minierat e qarkut të Dibrës, të cilat punësojnë edhe numrin më të madh të minatorëve. Në të njëjtën kohë, dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur për çështje që lidhen kryesisht me mungesën e kushteve të sigurisë në punë.
Rruga Press