Tiranës i rikthehet Panairi i Librit me më pak botues e masa anti-COVID
Tiranës i rikthehet Panairi i Librit, pas një viti mungesë për shkak të pandemisë. Edicioni i 24-t i kësaj ngjarjeje do të hapet sot (e mërkurë) dhe do të zgjasë deri më 21 nëntor. Botues, shkrimtarë, përkthyes dhe të adhurues të librit do të bëhen bashkë në Pallatin e Kongreseve. Këtë vit ky panair, përveç titujve të rinj për lexuesit, do të sjellë takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi, workshope, seminare e të tjera.
Por janë më pak botues, sesa në edicionet para pandemisë, përderisa do të mbahet edhe nën masat anti-COVID.
Në një konferencë për media të martën, një ditë para ceremonisë së hapjes solemne, organizatorët kanë thënë se do të shmangen qëndrimet e gjata, e ndërsa librarët do të jenë të vaksinuar ose me test PCR, vizitorët duhet të jenë me maska.
“Sa më të shkurtra të jenë qëndrimet, aq më mirë është për të gjithë. Orari do jetë nga ora 09:00 deri në orën 20:00. Do të ketë një orë pushimi, nga ora 14:00-15:00, për t’u ajrosur dhe janë të ndaluara vizitat kolektive. Ka shumë të ftuar, por unë do të përmend njërin prej tyre, që është Nicola La Goia, shkrimtar dhe president i sallonit të Librit në Torino”, citohet të ketë thënë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, e cila me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit e organizojnë Panairin. Edhe në këtë edicion pritet të marrin pjesë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Teksa e ka cilësuar Panairin si festë dhe aktivitet gjallërues për Tiranën, Ymeri ka thënë se për shkak të pandemisë ka edhe një rrudhje të pjesëmarrësve, që sivjet janë 95 botues.
“Ne këtë vit ishim në kushte të vështira, se kemi ngushtuar stendat, gati 25 për qind më pak, qoftë në hollin kryesor, qoftë në ballkonadë, kjo që korridoret të jenë më të lira e më të bollshme. Ndaj kemi pasur më pak të ardhura nga arkëtimet për shitjet e stendave”, ka thënë Ymeri. Përtej promovimeve do të mbahet një tryezë diskutimi për problemet e përkthimit. Të shtunën panairi ndan edhe çmimet vjetore. Vitin e kaluar Panairi i Librit i Tiranës erdhi me format online.
Rruga Press