BallinaLajme

Tirana dhe Shkupi përçajnë BE-në

Në Bruksel vazhdojnë negociatat për të miratuar brenda këtij viti kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Presidenca gjermane kërkon që të paktën vetëm dokumenti të miratohet brenda këtij viti. Italia gjithashtu e refuzoi projekt konluzionet për Shqipërinë dhe përpara miratimit të tyre kërkoi përmirësimin e dokumentit, duke u anuar pro Tiranës.

Përpara se t’ia dorëzojë kryesimin e Këshillit Europian Portugalisë, Gjermania synon që të paktën këtë vit të arrijë miratimin e kuadrit negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe në rastin më të mirë edhe të thirrjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Negociatave.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, tha të mërkurën në konferencën e rregullt në Berlin se po punohet me intensitet të plotë për çeljen sa më shpejt të negociatave.

Lexo më shumë  SHBA, Blinken uron 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

“Qëllimi ynë mbetet që të fillojmë sa më shpejt me këto negociata. Ne jemi të mendimit se Bashkimi Europian ka dhënë fjalën dhe këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë e BE-së dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kështu që ajo që di unë deri tani është se ende po bëhen konsulta intensive në Bruksel dhe në nivelin dypalësh mes vendeve anëtare. Ne nuk po dorëzohemi dhe duhet të arrijmë përparim”, tha Adebahr.

Çështja e negociatave u ngatërrua pasi Bullgaria bllokoi me veto miratimin e kuadrit negociues për Maqedoninë Veriore, ndërsa Holanda dhe Franca u shprehën të pakënaqura me konkluzionet në lidhje me përparimin e Shqipërisë. Në krahun tjetër Italia e refuzoi projekt konluzionet për Shqipërinë dhe përpara miratimit të tyre kërkoi përmirësimin e dokumentit.

Për të negociuar të gjitha mosmarrëveshjet në lidhje me procesin e zgjerimit, presidenca gjermane ka kohë deri më 8 dhjetor kur mblidhet samiti i udhëheqësve.

Pesimist për miratimin e kuardit negociues dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare me të dy vendet brenda këtij viti, u shpreh Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

“Unë vazhdoj të shpresoj, por fatkeqësisht është gjithnjë e më pak e qartë se ne do të arrijmë miratimin e kuadrit negociues këtë vit,” u tha komisioneri Varhelyi eurodeputetëve gjatë një diskutimi për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Edhe ai konfirmoi se Komisioni dhe Presidenca gjermane po punojnë për arritjen e një zgjidhjeje në lidhje me integrimin e Shkupit dhe Tiranës.

YouTube player