KryesoreOpinion/Aktualitet

TikTok-u, armiku i fundit!

Shkruan Lutfi Dervishi

Ja ku erdhi momenti. Tani mund të marrim frymë lirisht. Pas vitesh të tëra përballje me korrupsionin, keqqeverisjen, skandalet, emigrimin masiv, krimin e organizuar, sistemin arsimor të dalë boje dhe pa harruar rivendosjen në shina të SPAK, më në fund qeveria ka dhënë kurën për armikun që ka identifikuar e i kanoset vendit: Mbyllim TikTok-un!

Për të mirën e të gjithëve, vizioni i ri i qeverisë ka vendosur t’i japë fund këtij rreziku për 12 muaj. Deri më 2030 kush e di sesa rreziqe të tjerë do të ç’rrënjosen!

Naivitet të pyesësh nëse kjo është një rastësi që ndodh dy muaj para zgjedhjeve.

Kurrsesi! Kjo është thjesht një përpjekje e sinqertë për të shpëtuar rininë tonë nga videot me kërcime, sfidat idiote, recetat për makarona me ton, nga ujqërit e fshehur në luginat e rrjetave sociale, dhe njerëz që janë bërë të famshëm duke qenë të sinqertë.

Kjo nuk ka të bëjë me faktin që Kryeministri nuk e ka audiencen e TikTok-ut me vete. Jo!

Në këtë vendim historik, si ato mendimet që në kohen e Enverit, kur ishim vetëm, ne sot, ndryshe, nuk jemi vetëm! Jemi në një shoqëri që na e kanë zili të gjithë:.

Lexo më shumë  Kurti: E paçim Kosovën të lirë e të fortë, siç e ëndërroi Adem Jashari

India (2020) e ndaloi TikTok-un se kishte probleme me Kinën.

Pakistani (2021) e ndaloi se po përhapte “imoralitet”.

Afganistani (2022) e ndaloi që të mos shpërqendroheshin njerëzit nga ligjet e sheriatit.

Jordania, Kirgistani, Nepali dhe Somalia; e ndaluan për arsye të ndryshme, kryesisht se duhej të ndalonin diçka.

Australia nuk e lejon për fëmijët nën 16 vjeç.

Kanadaja, Britania, Zelanda e Re dhe shokët e tyre evropianë e kanë ndaluar për punonjësit publikë në telefonat e punës, sepse çuditërisht, ata shkojnë në punë për të punuar.

Por, si gjithmonë, ne e bëjmë diçka ndryshe. Diçka model për botën.

Në Shqipëri, nuk e ndalojmë vetëm për nëpunësit, as për të miturit. E ndalojmë për të gjithë.

Se kjo është demokracia e vërtetë, sot e nesër, nesër e pasnesër, plot 12 muaj demokraci.

Ky është SOLIDARITETI: ose jemi të gjithë të lirë, ose të gjithë të bllokuar!

Më në fund, mund të flejmë të qetë! Shqipëria nuk ka më halle, përveç TikTok-ut.

S’ka rëndësi që një TikTok mund të ishte më i shpejtë për të treguar ndonjë skandal korrupsioni sesa ndonjë media e kapur.

S’ka rëndësi që shumica e të rinjve e përdornin për të bërë humor mbi realitetin që jetojnë.

Lexo më shumë  ​27 vjet nga rënia heroike e Jasharëve, sot nis Epopeja e UÇK-së

S’ka rëndësi që vendimi ngjan më shumë me një “puc” dixhital sesa me një akt demokratik.

E rëndësishme është që, nga java tjetër nuk do të kemi më nevojë të shqetësohemi për algoritmat e TikTok-ut. Do të kthehemi tek argëtimet tona të vjetra, si p.sh:

Kundrimi i listave të kandidatëve për deputetë me shpresën se ka ndonjë emër që nuk ka lidhje me botën e krimit).

Shqyrtimi i premtimeve për ujë 24 orë, shëndetësia falas, legalizimet, hekurudhat, rrugët e lëna rrugëve etj etj

Praktika e vjetër trushpërlarjes dhe fikjes se trurit me edicione lajmesh vijon me intensitet.

Në fund të fundit, një vendim i tillë duhet përshëndetur! Sepse që nga data 15 Mars një Shqipëri pa TikTok, do të jetë vendi ku të gjithë jetojnë të lumtur, pa probleme, pa halle dhe mbi të gjitha… pa bezdisjen e një videoje që mund të na kujtojë se çfarë po ndodh në të vërtetë.

Pas 15 marsit, kushdo që do të lundrojë në një platformë të vërtetë, sugjeroj “sy m’sy”, e cila do zgjerohet me rubrikat “vesh m’vesh”, “krah m’krah”, “nofull m’nofull”, “dhëmb m’dhëmb”, gju m’gju”

YouTube player