Thirrja Godoles për distancim nga Berisha, PD vendos censurë për intervistat
Ende pa nisur punë, strukturat e reja drejtuese të Partisë Demokratike kanë marrë urdhër të shmangen qëndrimet personale në media dhe të mos jepen intervista për tema që nuk janë rakorduar me partinë. Nënkryetari i ri Alfred Rushaj, i zgjedhur kryetar i grupit parlamentar, ndalon kolegët të dalin në media pa marrë më parë miratimin e zyrës së shtypit të partisë.
Mesazhi i Rushajt, i shpërndarë të martën pas orës 9 të darkës erdhi pas intervistës në News24 të sekretares për të përndjekurit politikë, Jonila Godole, ku bënte thirrje për distancim të PD-së nga Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA.
Fjalët e sekretares së re u duk se trazuan mjaft ujërat në PD. Intervista e saj me titullin ku bëhej thirrje për distancim nga Berisha, u publikua nga Rilindja Demokratike, organ zyrtar i partisë, por faqja u zhduk më pas si pasojë e reagimeve që krijoi. Çfarë mbeti është një sqarim i kryeredaktorit Bledi Kasmi ku nënvizon se Sali Berisha vijon të gëzojë mbështetjen e partisë.
Asgjë nuk na lëkund nga besimi se Berisha në funksionet e tij të të bërit shtet dhe opozitar, në të gjithë dimensionin e tij politik mbetet burrë shteti, por fjala e lirë është tjetër, pasqyrimet e saj janë tjetër dhe qëndrimet mbi to krejt tjetër. Mirënjohje të gjithë lexuesve për sugjerimet e tyre. - Bledi Kasmi, kryeredaktor i “RD”
Pikërisht për të evituar konfliktet me fjalën e lirë, duket se në PD kanë vendosur ta zgjidhin me standardin e vendosur nga Edi Rama 8 vite më parë, ku askush nuk mund të thotë asgjë pa miratimin e partisë.
Rruga Press