KryesoreOpinion/Aktualitet

Thethi dhe Gazetaria

Shkruan Lutfi Dervishi

Ju flet Thethi…

Kush flet për Thethin?

Gazetari? Reporteri? Opinionisti? Komentatori? Moderatori? Eksperti? Influenceri? Apo gjithologu hazerxhevap?

A ka më dallime mes tyre, apo në stilin “merr një litar dhe lidh gjithë pyllin” mjafton të thuash: gazetar?

Pothuaj në çdo debat publik kakofonia është e plotë sepse rolet janë ngatërruar: ai që duhet të dëgjojë, flet; ai që duhet të pyesë, gjykon; ai që duhet të informojë, bën show.

Prandaj le të qartësojmë: kush është kush në këtë kor:

1. Moderatori, dirigjent i debatit, jo violinist

Roli i moderatorit është të krijojë një ambient ku palët të shprehen, të ruajë ekuilibrin, të përmbledhë mendimet dhe të drejtojë bisedën me pyetje që nxisin debat konstruktiv.

Për shembull në një debat për Thethin, moderatori nuk duhet të japë opinion për fadromat, turistët, banorët, “token e xanun”, por të pyesë aktorët (banorë, zyrtarë, arkitekt, ekspert mjedisi, inspektorë) përse s’ka patur kontroll dhe çfarë pasojash sjell kjo situatë.

2. Reporteri, syri dhe veshi në terren

Reporteri është njeriu i terrenit. Ai nuk flet nga studioja, por nga rruga, nga Thethi, nga vendi ku ndodhin ngjarjet. Ai sjell realitetin: pamje, zëra, emocione, fakte. Në këtë situatë, reporteri duhet të tregojë se çfarë po ndodh, kë ka takuar, çfarë thonë banorët dhe çfarë përgjigje japin institucionet. Ai nuk gjykon, nuk analizon, nuk spekulon, nuk hamendëson, thjesht informon.

Detyra e tij nuk është të jap mend, por t’i bëj të tjerët të mendohen.

3. Gazetari, ai që analizon pa u bërë analist

Lexo më shumë  Kurti: Kosova e përkushtuar në luftën kundër pastrimit të parave

Gazetari është ai që lidh pikat dhe i jep kuptim ngjarjes

Ai mbledh informacionet nga reporterët, dokumentet, deklaratat dhe faktet dhe i vendos në kontekst. Ai nuk është opinionist. Është ura që lidh publikun me realitetin përmes një analize të përgjegjshme. Një gazetar i mirë do të tregonte përse jemi sot në këtë krizë në Theth, cilat janë premtimet e pambajtura, çfarë roli ka pasur pushteti vendor dhe si u arrit deri te përplasja me fadroma dhe policë.

4. Komentatori, opinion, por jo për gjithçka

Komentatori/opinionisti, jep mend për një fushë të caktuar jo për të gjithë ultësirën perendimore. Komentatori i turizmit, p.sh., mund të jetë një gazetar me përvojë në sektor, që bën një editorial për mungesën e vizionit, vullnetit politik, politikave afatgjata etj. Ai bazohet në fakte, jo në ndjenja.

Çfarë ndodh në realitet: opinionisti flet për gjithçka që nga “ndërzimi artificial i lopëve e deri te lufta në Vietnam”.

5. Analisti, analiza, jo “unë mendoj”

Analisti nuk është vetëm “ai që flet bukur” dhe nuk i pushon goja. Është ai që ka ekspertizë dhe kapacitet për të analizuar trende, politika, pasoja dhe skenarë. Analiza kërkon të dhëna, krahasime, modele mendimi, jo tjerrje fjalësh.

Një analist në këtë rast do të tregonte sesi mungesa e planeve urbanistike dhe mos zgjidhja e çështjeve të pronësisë e kanë bërë Thethin të duket si thertore.

Një analist, do të pyeste: pse shteti vjen vetëm me fadromë dhe jo me plan? Si lidhen ndërtimet pa leje me mungesën e planifikimit urban? Çfarë mund të mësojmë nga vendet e tjera alpine që kanë përballuar sfida të ngjashme?

Lexo më shumë  Faton Peci njofton, më 12 dhjetor mbahet seanca inauguruese e Komunës së Mitrovicës së Jugut

Analiza kërkon dije, jo krekosje.

6. Eksperti, njohës i fushës, jo i fushave

Eksperti është ai që flet me kompetencë për çështje të caktuara. Një urbanist mund të flasë për ndërtimet në zonë të mbrojtur; një inxhinier mjedisi për dëmet e mundshme ekologjike; një jurist për shkretetiren ligjore që ka lejuar kaosin, një inxhinier hidroteknik për mungesën e ujit, një demograf për ndikimin e emigracionit në zonat malore. Problemi është se kemi ekspertë universalë, flasin për gjithçka, përfshirë edhe ndonjë gjë e kuptojnë.

7. Influenceri

Influenceri nuk është gazetar, as ekspert, as analist. Ai flet për përvojën e vet, dhe vetëm për të. Një influencer që ankohet për rrugën e bllokuar në Theth, ose që publikon një story ku shfaqet polici me arme, ka të drejtë ta ndajë këtë me ndjekësit e vet. Por kjo nuk është raportim, as analizë, as informim për publikun. Është përjetim personal, shpesh i filtruar nga sponsorë, ndjesi, ose nevoja për klikime.

Në fund: kë të dëgjojmë?

Të gjithë kanë të drejtë të flasin.

Por nëse secili bën më mirë punën e vet se të tjetrit atëherë e kemi më të lehtë për të kuptuar se kush po informon, kush po mendon, kush po shtrembëron, e kush po bën zhurmë!

Dëgjo reporterin për realitetin, gazetarin për kontekstin, ekspertin për detajet, analistin për “ku fle lepuri”, komentatorin për opinione, moderatorin për balancën, dhe influencerin për përvojën.

Nëse të gjithë flasim si gazetarë, por askush nuk bën gazetari, atëherë raportimet për Thethin do t’i ngjajnë gjithnjë e më shumë kovës së fadromës së IKMT!

Rruga Press

YouTube player