BallinaLajme

“Thesi elektoral”, Safet Gjici i Kukësit 1 miliard lekë për riparim rrugësh e trotuare

Qyteti i Kukësit, për fat të keq, është një ndër më të varfërit dhe një prej zonave urbane me numrin më të ulët të investimeve publike në vend.

Kryetari aktual i Bashkisë, Safet Gjici, i cili ka qendruar shumë pranë kryeministrit Edi Rama, mund të kishte mundësinë që të fuqizonte jetën sociale dhe ekonomike të kuksianëve, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës.

Por, ai, si shumë kolegë të tij “Rilindas”, që kontrollojnë thuajse tërësisht pushtetin lokal në Shqipëri, është i fokusuar tek fasada dhe “investimet elektorale”.

Vetëm në javët e fundit, Bashkia e Kukësit ka shpallur disa tendera, me vlerë totale rreth 1 miliard lekë të vjetra, për riparim rrugësh dhe zgjerim trotuaresh.

Projekti më i madh është rikualifikimi dhe zgjatimi i shëtitores nga Pallati i Kulturës deri tek Turizmi i Ri, me fond limit 416 milionë lekë të vjetra.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ky projekt përfshihet në atë që konsiderohet si “Rilindje Urbane” dhe synon ngushtimin e rrugës së automjeteve dhe zgjerimin e trotuareve.

Tenderi, me vlerë shumë të lartë për Bashkinë e Kukësit, është hapur në Dhjetor 2020, vetëm pak muaj para se vendi të shkojë në zgjedhje të përgjithshme parlamentare.

Bashkia e Kukësit përfshin një numër të madh zonash malore, të cilat, sidomos gjatë periudhës së dimrit, vuajnë nga bllokimi dhe izolimi.

Banorë të zonave të ndryshme rurale të Kukësit kanë shpresuar prej vitesh për përmirësimin e infrastrukturës, e cila u mundëson lëvizjen dhe qarkullimin.

Por, prioritet i Safet Gjicit është shëtitorja, pjesa e fasadës së qytetit dhe për këtë arsye ka alokuar një fond shumë të konsiderueshëm për bashkinë e varfër veriore.

Në planet e Bashkisë është përfshirë edhe rehabilitimi i rrugës hyrëse për tek Varrezat e Dëshmorëve, si edhe sistemimi i murit rrethues, përfshirë edhe punime grafike e reklama (!!!).

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Për këtë punë publike, Bashkia e Gjicit ka planifikuar të shpenzojë rreth 140 milionë lekë të vjetra.

Për rikonstruksionin e rrugës Malqene, Bashkia e Kukësit ka vendosur të shpenzojë 285 milionë lekë të vjetra.

Për rehabilitimin e rrugës “Rilindja” pritet të shpenzohen po 285 milionë lekë të vjetra.

Ndërsa për asfaltimin e rrugës së fshatit Bushat, janë vendosur në dispozicion 220 milionë lekë të vjetra.

Të gjithë këto tendera janë hapur në Dhjetor të vitit 2020 dhe procedurat pritet të përfundojnë në javët e para të vitit 2021.

Siç konstatohet, të gjithë këto tendera multi-milionësh janë fasada dhe riparime rrugësh. Bashkia e Kukësit nuk ka parashikuar për këtë fund-vit asnjë ndërtim rruge të re apo zgjerim të atyre ekzistuse.

Tenderat synojnë vetëm “llustrimin” e rrugëve ekzistuese, një veprim që ndodh shpesh në prag fushatash elektorale. boldnews/

Rruga Press

YouTube player