Thellohet skandali, vëllai (Gëzim Hoxha) i ambasadorit shqiptar në BE (Ferit Hoxha) në grupin kriminal të AKSHI-t!
Çuditë në këtë vendin tonë të vogël s’kanë të sosur, pasi nga njëra anë një vëlla hetohet dhe bën pjesë në grupin kriminal që zhvati shtetin me dhjetëra miliona euro dhe nga ana tjetër, vëllai tjetër është përfaqësuesi kryesor i Shqipërisë pranë institucioneve të Bashkimit Europian.
Bëhet fjalë për Gëzim dhe Ferit Hoxhën, ku Gëzimi është nën akuzë dhe me masë sigurie nga Prokuroria e Posaçme, si pjesë e grupit kriminal të AKSHI-it, ndërkohë që Feriti vijon i qetë detyrën si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë në BE-së, që prej muajit korrik të vitit 2024.
Feriti dhe Gëzimi gjatë 3 viteve të fundit kanë pësuar ndryshime në të mira materiale, ku Gëzimi ka marrë dhjetëra miliona euro tendera sekretë nga qeveria, me ndërhyrje klanesh, ndërkohë që Feriti pas ulje-ngritjeve në karrierën diplomatike u katapultua si njeriu kyç i integrimit.
Këto radhë s’kanë aspak qëllim që të ulin figurën e çdonjërit prej tyre, por në mungesë të një reagimi sidomos të diplomatit, do mundohemi të hedhim dritë mbi aktivitetin e të dyve, ku në disa raste aktiviteti publik i Feritit ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin privat të Gëzimit.
BE-ja ka nisma dhe mekanizma që mbështesin kompani të teknologjisë së informacionit, me donacione, kredi apo mbështetje logjistike, ku normalisht njeriu që bën ndërlidhësin e Shqipërisë me BE-në është Feriti. Nga ana tjetër Gëzimi ka në pronësi plot 3 kompani, më e vjetra ka fituar dhjetëra miliona euro nga AKSHI për pajisje dhe programe të teknologjisë dhe dy të tjerat i ka regjistruar fiktivisht në parkun DURANA, në Xhafzotaj.
Këto më sipër janë vetëm ato që realisht bëjnë vëllezërit, ndërkohë që lidhjen mes të dyve, nëse puna e njërit ndikon te tjetri, apo të bashkëpunëtorët e vëllait, mund t’a zbardhin institucionet ligjzbatuese.
Fakt që është që, emri i Gëzim Hoxhës dhe kompanisë së tij, “First” ndodhet në shumë fashikuj të dosjes së AKSHI-t, ku vetë vëllai i ambasadorit hetohet për pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal. Po hetohet edhe për grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Në një kohë që Ferit Hoxha u emërua Ambasador në BE, në muajin korrik të vitit 2024, vëllai i tij, Gëzim Hoxha, vijonte të fitonte dhe të merrte tendera sekretë nga qeveria, një prej të cilëve në vlerën e plot 60 milionë eurove.
Ina Ciko, një prej vartësve të Ermal Beqirit, aktualisht me masë sigurie shtrënguese po që nuk është ekzekutuar, ka deklaruar se ka pasur marrëdhënie financiare dhe kanë bashkëpunuar me disa firma, njëra prej të cilave edhe “First”, me pronar Gëzim Hoxhën.
Në dosjen e SPAK-ut, të hulumtuar nga VoxNews, detajohet se janë bërë kreditime nga firma “First” te kompanitë e Beqirit apo Agasit në shuma që shkojnë deri në 1.2 milionë euro. Këto kreditime, janë realizuar në dhjetor të vitit 2024. Prokuroria ka zbuluar se kompania e Gëzim Hoxhës, “First”, ka kaluar fonde në llogarinë e subektit “EA Solution”, në shuma të konsiderueshme.
Faktet janë evidente, tashmë të zbardhura plotësisht nga Prokuroria e Posaçme, por që deri më tani janë lënë në ajër, për shkak se po këta individë janë shfaqeur edhe te parku fiktiv DURANA në Xhafzotaj, të Durrësit. Emri i “First” dhe Gëzim Hoxhës cilësohet nga SPAK-u si një nga më aktivët. “Faturimet e kryera nga ‘EA Solution’ sh.p.k. në drejtim të tre subjekteve të tjera janë fiktive dhe me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal” thuhet në dosje.
Dy biznesmenët e tjerë në dosje, Andis Papa dhe Gëzim Hoxha kanë kontraktuar shërbimet e “EA Solution” nëpërmjet Ermal Beqirit, i cili i ka drejtuar te ky subjekt. “Pra të gjitha aktivitetet drejtohen nga shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi me qëllimin përfundimtar përfitimin e paligjshëm të fondeve të marra nga kontratat publike me institucionin e AKSHI-t” thotë SPAK-u.
Në dosjen e AKSHI-t detajohet edhe dëshmia e vetë biznesmenit Gëzim Hoxha, i cili ka deklaruar se firmën e ka prej vitit 2008, ndërkohë që është fokusuar te siguria kibernetike. Në dëshmi ai ka pranuar indirekt se ka paguar një shumë prej rreth 600 mijë eurosh si ryshfet, ndërkohë ka bërë edhe fatura të tjera me dy biznesmenët kryesorë, të shpallur në kërkim.
Dëshmia e tij kryesore ka qenë për një super tender sekret, i cili nuk dihet ende sot e kësaj dite se çfarë është bërë. “Kemi patur dhe një bashkëpunim tjetër, për shkak se vitin e kaluar, ndoshta në muajin tetor të vitit 2024, ne kemi fituar një procedurë tjetër prokurimi me AKSHI-n, me një vlerë të lartë prej rreth 60 milionë euro. Ky tender është sekret dhe aty kemi nënkontraktuar disa shërbime shoqërinë ‘EA Solution’, të cilat kanë një vlerë prej rreth 60 milionë lekësh të reja”, ka pohuar Hoxha.
Për koiçidencë ose jo, koha në të cilën ka fituar tenderin dhe ka bërë pagesën prej 600 mijë eurosh, përkon me kohën që vëllai i tij, Feriti të jetë emëruar si Ambasador i Shqipërisë në BE.

Në dosje citohet se, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t e cila po hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpie, ka vendosur kritere të paligjshme te procedurat e prokurimit që favorizonin dhe u krijonin privilegje të padrejta për disa operatorë ekonomikë, ndër të cilët edhe “First”.
“Gëzim Hoxha ka rol aktiv në pjesëmarrjen dhe përfitimin e paligjshëm të procedurave të prokurimit, të cilat diktohen nga shtetasit e sipërpërmendur. Ai ka kredituar shuma të konsiderueshme te shoqëria ‘EA Solution’” thuhet në dosje.
Ndaj Hoxhës është caktuar masa e sigurisë ndalimi i daljes jashtë shtetit, teksa ai hetohet për pastrim parash të kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ai është urdhëruar nga Gjykata e Posaçme që të mos largohet nga territori i Shqipërisë.
Të dhënat e analizuara nga redaksia e VoxNews flasin se Gëzim Hoxha ka ngritur një skemë për pastrimin e parave që merrte nga tenderët, duke i xhiruar në kompani të tjera me të njëjtën fushë, apo së fundmi edhe në kompanitë virtuale të DURANA-s.
Fijet mes Gëzim Hoxhës dhe Ermal Beqirit, krahas pjesëmarrjes në grupin kriminal të AKSHI-t lidhen te DURANA. Një park i ngritur nga Elira Kokona e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila pa ndërtuar asnjë godinë, “zhvendosi” në atë adresë rreth 50 firma, me pronarë emra të njohur, disa prej të cilëve me dosje në SPAK.
S’kishte si të mungonte as Gëzimi, i cili me njohjet apo bashkëpunimet që kishte bërë, hapi kompaninë “CyberMind Labs”. Ai e regjistroi në QKB në muajin nëntor të vitit 2025. Adresa e kompanisë, sipas dokumenteve, është në “Shijak, Durana Tech Park, rruga Ahmet Zogu, Njësia Administrative Xhafzotaj”.Objekti i kompanisë është krijimi dhe funksionimi i laboratorëve të kërkimit dhe zhvillimit në fushat ICT, AI, ML, IoT, digjitalizim dhe siguri kibernetike.
Në të njëjtën kohë, nëntor 2025, Gëzim Hoxha hapi një tjetër kompani guaskë apo fiktive me adresë në Xhafzotaj, duke e quajtur “Box Artificial Logic”. Shkodrani duket se ka lindur “me këmishë”, pasi me një lëvizje arriti që të regjistrojë dy firma me “bekimin” e Elira Kokonës, e cila në këmbim i falte taksat, dividentin apo lehtësi doganore.
Një skemë e mirëfilltë për të pastruar paratë e marra nga tenderat sekretë, ku ende sot e kësaj dite nuk dihen me saktësi se sa para ka marrë në total Gëzim Hoxha, apo njerëzit që fshihen pas tij. /Voxnews.al/
Rruga Press

