“The Guardian”: Serbia po rrëshqet drejt autokracisë
Aktivistët e shoqërisë civile dhe monitoruesit e demokracisë në Serbi kanë paralajmëruar se shteti po rrëshqet drejt autokracisë nën presidentin Aleksandar Vuçiq, që mori mandatin e dytë me shumicë dërrmuese në muajin prill, ka shkruar mediumi prestigjioz “The Guardian” të enjten.
Në një fushatë të përfshirë nga raportimet për ryshfet, frikësim e mashtrim të përhapur, Vuçiqi fitoi 60 për qind të votave. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare dhe të qytetit të Beogradit, megjithatë është ende i paqartë. Opozita pret që gjykatat të vendosin nëse votimi duhet të përsëritet aty ku ka ankesa për parregullsi të rënda. Si rezultat, Qeveria e re s’do të formohet për disa muaj.
“Situata që ka më së shumti të ngjarë është që Vuçiqi do ta zgjasë procesin dhe do të shkaktojë kaos, dhe ai e përdor gjithmonë kaosin për avantazh”, ka thënë Bojan Elek, zëvendësdrejtor në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë. “Ai është kalkulues i mrekullueshëm dhe strateg që të kthejë çfarëdo situate në favor të tijin”.
“The Guardian” shkruan se lufta e Ukrainës po del të jetë sfidë e madhe për Serbinë që në njërën anë synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në tjetrën të ruajë aleancën me Rusinë.
“Dy shtetet kanë lidhje të afërt historike, fetare e kulturore dhe Moska ka qenë përkrahëse kyçe e Beogradit në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, duke bllokuar pavarësinë e Kosovës. Për më shumë, Serbia është në tërësi e varur nga nafta dhe gazi rus”, thuhet në artikull për lidhjet e Serbisë me Rusinë. Aty theksohet se Vuçiqi ka akuzuar Ukrainën dhe një shtet tjetër të BE-së për një seri kërcënimesh me bomba ndaj aeroplanëve të “Air Serbisë”, pa dhënë asnjë dëshmi.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, sinjalet nga qendrat evropiane drejt Beogradit e kanë bërë të qartë se loja e Vuçiqit me dy karta s’është e qëndrueshme.
“Ata po kërkojnë dënim më të ashpër – kjo mund të jetë lëvizje e lehtë – dhe definitivisht t’u bashkohet disa aksioneve”, ka thënë Elek. “Ai do të përpiqet të luajë më gjatë në këtë, por mendoj se në fund do t’i duhet të vendosë, dhe e vetmja zgjidhje racionale do të ishte zgjedhja e anës pro-evropiane. Mund t’i bashkohet pakos së sanksioneve që s’do ta lëndonin Serbinë aq shumë”.
Serbia nuk e ka dënuar agresionin rus. Madje s’ka vënë as sanksionet që i vendosi edhe BE-ja kundër Rusisë që nga viti 2014 pas aneksimit të Krimesë. Megjithatë analistët serbë besojnë se presidentit më shumë ka shans t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës, kur të formohet qeveria e re.
Pavarësisht shqetësimeve të qarta për tendencat e Vuçiqit për autokraci, Angela Merkel dhe Ursula von der Leyen e vizituan Beogradin brenda një muaji vitin e shkuar.
“Çështja është që BE-ja nuk e sheh opozitën si partnere të fuqishme e kredibile”, ka thënë Biljana Gjorgjeviq, deputete opozitare, pjesë e koalicionit “Moramo”, që në zgjedhjet e fundit siguroi 13 ulëse. Ajo ka thënë se ekziston një kulturë abuzimi e parlamentit nga partia në pushtet, duke përdorur një shembull të buxhetit të 2018-s, që kaloi pa debat e duke bllokuar pyetjet nga opozita.
“Fatkeqësisht, (liderët evropianë) zgjedhin stabilitetin mbi demokracinë, që është shumë keq. Kjo e minon edhe vetë BE-në brenda Serbisë. Njerëzit janë bërë euroskeptikë, që është e kuptueshme”, ka shtuar ajo.
Në Bruksel Vuçiqi po shfaqet si politikani që mund ta ofrojë stabilitetin në Ballkan.
Në zgjedhjet e fundit më 2020, ai siguroi 188 ulëse nga 250 sa i ka parlamenti. Rezultati erdhi edhe falë bojkotit të opozitës që protestonte kundër abuzimit e sabotazhit të proceseve parlamentare nga deputetët e pushtetit.
Vukosava Cërnjanski, drejtoreshë e monitoruesit të demokracisë “CRTA”, ka shpjeguar se në mungesë të opozitës në parlament për dy vjet, shoqëria civile mori pa dëshirë këtë rol. “Ishim vazhdimisht nën sulm”, ka thënë ajo duke përshkruar kampanjat ndaj CRTA-së dhe saj në mediat pro-pushtetit. “Ajo që po shohim është kthim serioz i demokracisë në Serbi, veçanërisht në funksionimin e institucioneve, përfshirë Parlamentin. Më 2016 (partia në pushtet) nisi të heshtte çdo zë të lirë në Serbi”.
Sofija Todoreviq, drejtoreshë programi në Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd, ka thënë se grupet nacionaliste dhe të krahut të djathtë i frikësojnë mbikëqyrësit e të drejtave civile.
Todoreviq ishte sulmuar nga huliganët e futbollit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” në vitin 2017. Pas sulmit, ishte gjobitur me 350 euro për protestimin gjatë fjalimit të kriminelit të luftës, Veselin Slivjançanin në një ngjarje të organizuar nga partia e presidentit Vuçiq.
Serbia është një nga katër shtete të Ballkanit që kanë nisur negociatat për pranim në BE. Një raport i 2021-s nga Komisioni Evropian për progresin në reformat e domosdoshme vuri alarmin për lirinë e medias, sulmet ndaj opozitës e aktivistëve të shoqërisë civile, korrupsionin, krimin e organizuar dhe kontrollin shtetëror mbi policinë e gjyqësorin.
Rruga Press