The Economist: Doktrina e re kineze e Bidenit
Proteksionizmi i saj dhe retorika ne-ose-ata do ta dëmtojë Amerikën dhe do t’i largojë aleatët
Optimistët shpresonin prej kohësh se mirëpritja e Kinës në ekonominë globale do ta bënte atë një “palë të interesuar të përgjegjshme” dhe do të sillte reformën politike. Si president, Donald Trumpi e hodhi në erë atë ide si të pafuqishme. Tani, Joe Biden gjuhën bombastike trumpiane po e shndërron në një doktrinë që e vë Amerikën kundër Kinës, një luftë midis sistemeve politikë rival të cilët, thotë ai, mund të ketë vetëm një fitues. Midis tyre, Z. Trump dhe Z. Biden kanë krijuar shkëputjen më dramatike në politikën e jashtme amerikane në pesë dekada, që kur Richard Nixon shkoi në Kinë.
Z. Biden dhe ekipi i tij mbështesin doktrinën e tyre në besimin se Kina është “më pak e interesuar për bashkëekzistencë dhe më shumë e interesuar për dominim”. Detyra e politikës amerikane është të zbusë ambiciet kineze. Amerika do të punojë me Kinën në fusha me interes të përbashkët, si ndryshimi i klimës, por kundërshton ambiciet e saj gjetkë. Kjo do të thotë të ndërtosh forcën në vend dhe të punosh jashtë me aleatë që mund ta përplotësojnë peshën e saj ekonomike, teknologjike, diplomatike, ushtarake dhe morale.
Ka shumë që bën sens në doktrinën e re të z. Biden. Situata optimiste për angazhim është shembur nën realitetin e fuqisë kineze. E udhëhequr nga Presidenti Xi Jinping, Kina ka vendosur trupa në Detin e Kinës Jugore, ka vendosur rregullin e partisë në Hong Kong, ka kërcënuar Tajvanin, është duke u përplasur me Indinë dhe është përpjekur të përmbys vlerat perëndimore në organet ndërkombëtare. Shumë vende janë alarmuar nga diplomacia e Kinës “luftëtar ujku”.
Por detajet e doktrinës së Bidenit përmbajnë shumëçka për t’u shqetësuar – jo më pak e rëndësishme është se nuk ka gjasa të funksionojë. Një problem është se si z. Biden e përkufizon kërcënimin. Për shkak se politika në Uashington është shprishur, duket se ai mendon që i duhet shpirti i Pearl Harbor-it për të ndihmuar në rindezjen e një ndjenje të aspiratës kombëtare. Kjo është një keqpërllogaritje.
Është e vërtetë që republikanët hidhen mbi gjithçka që ata mund ta portretizojnë si të butë ndaj Kinës (edhe pse çdo herë që thonë se zgjedhjet presidenciale ishin vjedhur, ata bëjnë punën e propaganduesve kinezë). Sidoqoftë, nuk ka gjasa që republikanët të fillojnë të mbështesin axhendën e brendshme të z. Biden vetëm për shkak se ajo ka stampuar fjalën “Kinë” në kopertinë.
Më keq akoma, sa më shumë që z. Biden përdor retorikë të ashpër për të galvanizuar amerikanët, aq më e vështirë bëhet detyra e tij për të galvanizuar aleatët dhe fuqitë e mëdha në zhvillim si India dhe Indonezia. Duke i kornizuar marrëdhëniet si një garë me shumën zero, ai po u paraqet atyre një luftë manikeike midis demokracisë dhe autokracisë, më shumë sesa kërkimin e bashkëekzistencës. Mjerisht, përmes kësaj ai po mbivlerëson ndikimin e Amerikës dhe po nënvlerëson atë se sa shumë potencial kanë për të humbur aleatët duke i kthyer shpinën Kinës.
Kina do të bëhet një forcë dominuese për shkak të shumë masave ekonomike, çfarëdo që të bëjë Amerika. Do të ketë ekonominë më të madhe në botë dhe tashmë është partneri më i madh i mallrave tregtarë i pothuajse dy herë më shumë vendeve sesa Amerika. Gjermania, fuqia energjetike evropiane e eksportit, synon t’i mbajë lidhjet tregtare me Kinën edhe ndërkohë që hallkat politike kopsiten. Në Azinë jug-lindore shumë vende i drejtohen Amerikës për sigurinë e tyre dhe Kinës për mbrothësinë e tyre. Nëse detyrohen të zgjedhin midis superfuqive, disa mund të zgjedhin Kinën.
Në vend që të imponojë një vendim për vendet e tjera sot, z. Biden duhet që t’i bëjë ata për vete. Dhe shansi i tij më i mirë për këtë është që Amerika të demonstrojë se mund të lulëzojë brenda vendit dhe të jetë udhëheqësi i një ekonomie të suksesshme dhe të hapur botërore.
Edhe këtu, detajet e skemës së z. Biden janë shqetësuese. Në vend që të ndërtojë mbi pikat e forta të Amerikës, si kampion i rregullave globale, administrata po përdor kërcënimin e Kinës për të çuar më tej axhendën e saj të brendshme. Doktrina e saj është plot me politika industriale, ndërhyrje qeveritare, planifikim dhe kontrolle. Në një mënyrë të pakëndshme, i ngjan çangazhimit të ndjekur prej vetë Kinës.
Për një paraqitje të shkurtër të asaj që mund të sjellë kjo, shikoni në raportin e administratës për katër zinxhirët thelbësorë të furnizimit – për gjysmëpërçuesit, bateritë, tokat e rralla dhe ingredientët farmaceutik jetik – botuar muajin e kaluar. Raporti nuk bën vetëm çështjen e sigurisë kombëtare për ndërhyrjen e qeverisë në këto industri. Ai përqafon gjithashtu edhe përfaqësimin e sindikatave, drejtësinë sociale dhe pothuajse gjithçka tjetër. Më shumë raporte të tilla do të vijnë më vonë. Nëse ky është një udhëzues, z. Biden do të propozojë të përdorë subvencione dhe rregullime për të siguruar që vendet e punës dhe prodhimi të mbeten brenda kufijve të Amerikës.
Në mënyrë të pashmangshme, planet e z. Biden kanë përfitime dhe humbje. Në qendër të sulmit të tij ndaj Kinës është abuzimi i saj me të drejtat e njeriut, veçanërisht të ujgurëve, subjekt i internimit dhe punës së detyruar në Xinjiang. Në qendër të politikave e tij në lidhje me ndryshimin e klimës është kalimi te burimet e ripërtëritshme. Megjithatë, të dyja këto janë të kokolepsura, të paktën në periudhë afatshkurtër, sepse Xinjiangu është burimi i 45% të silikonit të përdorur për gjenerimin e energjisë diellore.
Një problem më themelor është proteksionizmi i butë i doktrinës së Kinës. Kjo favorizon titullarët në detyrë më shumë se konkurrentët dhe ka të ngjarë që më shumë ta dëmtojë ekonominë sesa ta rrisë fuqinë e saj. Programi i ri për Hënën është shumë popullor, më së shumti si një mënyrë për të treguar se Amerika ka një epërsi ndaj Kinës. Megjithatë, ajo është vibrante pikërisht në gradën që e lejon atë lloj gare në të cilën kompanitë private si SpaceX dhe Blue Origin mund të shkëlqejnë.
Një problem i tretë është se doktrina e z. Biden do t’i bëjë aleatët e Amerikës edhe më të kujdesshëm. Nëse qëllimi i ndërprerjes së lidhjeve me Kinën është krijimi i vendeve të mira të punës me sindikata, në Amerikë, atëherë aleatët do të pyesin vetveten se çfarë ofrohet aty për ta.
Plani i z. Biden është një mundësi e dalë huq. Nëse Amerika dëshiron ta ndalojë Kinën nga rindërtimi i rendit global sipas imazhit të saj, ajo duhet të mbrojë llojin e globalizimit që i shërbeu gjithmonë mirë. Në qendër të një qasjeje të tillë do të ishte tregtia dhe sistemi multilateral, duke mishëruar besimin se hapja dhe rrjedha e lirë e ideve do të krijojnë një avantazh në inovacion.
Nëse Amerika do të donte vërtet t’i kundërvihej Kinës në Azi, ajo do të bashkohej me marrëveshjen tregtare pan-aziatike nga e cila u largua në 2016-ën. Kjo vështirë se ndodh tani, por mund të kërkojë marrëveshje të reja për mjedisin dhe tregtinë dixhitale. Ajo duhet që gjithashtu të hedhë para dhe të ushtrojë ndikim pas ideve të reja që përforcojnë rendin perëndimor, të tilla si një program vaksinash për pandemitë e ardhshme, sisteme dixhitale të pagesave, siguri kibernetike dhe një skemë infrastrukture për të konkurruar me China’s Belt And Road Iniciative. Në vend të kopjimit të tekno-nacionalizmit të Kinës, një Amerikë më e sigurt duhet të afirmojë atë që e bëri të fuqishëm Perëndimin.
©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

