Bota

Thatësira thellon urinë në Afrikën Lindore, rritja e çmimeve vështirëson punën e organizatave humanitare

Dhjetëra miliona njerëz po përballen me urinë në Etiopi, Somali dhe Kenia, për shkak të thatësirës rekord në rajonin më lindor të Afrikës.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Juma Majanga, sulmi i Rusisë në Ukrainë ka rritur çmimet e ushqimeve, duke ia vështirësuar edhe më shumë punën organizatave humanitare që ndihmojnë komunitetet e prekura ndërsa për të pestin vit me radhë, sezoni që normalisht ka reshje të bollshme, po kalon pothuajse me thatësi të plotë.

Edhe nga larg, shenjat e shqetësimit janë të dukshme. Duke u afruar, situata e dëshpëruar bëhet më e dukshme.

Në një udhëtim të organizuar nga World Vision për gazetarët, Zëri i Amerikës ishte dëshmitar në ndikimin shkatërrues të thatësirës së vazhdueshme në kufirin verior të Kenias. Me mjete jetese të zvogëluara, familjet këtu janë lënë të mbijetojnë me manaferrat që normalisht nuk janë për t’u ngrënë, të njohura si edung në Turkana.

“Thatësira na mbyti të gjitha bagëtitë nga të cilat vareshim. Tani kemi mbetur pa asgjë. Gjithçka që mund të hamë janë këto manaferrat e egra”, thotë banorja e fshatit Parapul, Ape Lokoukimat.

Ajo duhet të gatuajë manaferrat e egra për tre ditë për t’i bërë të ngrënshme dhe për të zvogëluar dëmin e tyre për shëndetin. Banorët thonë se u jep fëmijëve diarre, por i ndihmon ata të mbijetojnë.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Nëna kujdeset për pesë fëmijët e saj të vegjël, sepse burri i saj është i sëmurë dhe nuk mund të ndihmojë.

Epakan Ekiru, një 19-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, jeton pak hapa më tutje. Burri i saj u largua dy vjet më parë me bagëtitë e tyre për të kërkuar kullota dhe ujë. Ajo ka frikë se kanë ngelur shumë pak manaferra të egra.

“Për momentin, ne po i hamë këto manaferra të egra. Nëse mbarojnë, ne do të vdesim! Nuk do të ketë asgjë tjetër për të ngrënë”, thotë banorja Epakan Ekiru

Kenia e shpalli thatësirën fatkeqësi kombëtare në shtator të vitit 2021 me afro 3.5 milionë njerëz në rrezik të urisë së rëndë.

Kjo përfshin më shumë se gjysmën e popullsisë në qarkun Marsabit, sipas shifrave të qeverisë. Fëmijët dhe gratë janë më të prekurit.

Zyrtarët thonë se ndonjëherë ndihma ushqimore e qeverisë dhe transfertat e parave për më të rrezikuarit nuk janë të mjaftueshme.

“Kam pasur raste kur njerëzit vijnë në zyrë dhe vazhdojnë të rrinë aty edhe nëse nuk ka ushqim që jepët në formë ndihme nga qeveria. Më pas ju duhet t’iu jepni para nga xhepi juaj që në këtë mënyrë të kthehen në shtëpi dhe të blejnë diçka për të ngrënë”, tha zëvendës komisioneri i qarkut, Marsabit në Kenia, Stephen Mavina.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Rritja e çmimeve të ushqimeve si rezultat i sulmit të Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në operacionet e ndihmave humanitare, duke e përkeqësuar situatën edhe më shumë.

“Në komunitetet që vizituam, ata duhet të merrnin 100% të racioneve nga ndihmat që iu takojnë, por tani për shkak të mungesave të krijuara, ne mund t’u japim vetëm 55% të ushqimit të tyre”, thotë përfaqësuesi i organizatës “World Vision International”, John Paul Amakoni.

Për banorët e fshatit Purapul, qendra shëndetësore më e afërt është mbi 60 kilometra larg. Dy herë në muaj, organizata humanitare “World Vision” ndihmon fëmijët e kequshqyer dhe gratë shtatzëna. Zyrtarët thonë se shumë prej tyre nuk mund të përballojnë më ta bëjnë vetë udhëtimin deri te qendra shëndetësore, pasi thatësia ka mbytur bagëtinë e tyre, burimin e vetëm të të ardhurave.

Thatësira nuk është e re për këtë rajon. Por, ekspertët thonë se ndërsa ndryshimet klimatike përshpejtojnë intensitetin dhe shpeshtësinë e thatësirës dhe ngjarjet si lufta e Rusisë në Ukrainë e përkeqësojnë problemin, shumë shqetësohen se kriza e urisë në Afrikën Lindore do të harrohet. /VOA

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *