Testuan raketat, Koreja e Veriut sanksionohet nga SHBA-ja dhe aleatët e saj
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë vendosur sanksione ndaj tre zyrtarëve të lartë të Koresë së Veriut. E tërë kjo ka ardhur pas testimeve të fundit raketore që ky shtet ka ndërmarrë. Pheniani ka lëshuar numër rekord të raketave balistike këtë vit – më shumë se 60 – si dhe ka testuar disa raketa balistike interkontinentale. Jon Il Ho, Yu Jin, dhe Kim Su Gil besohet se kanë “luajtur rol të madh” në zhvillimin e këtyre armëve.
Përveç SHBA-së, sanksionet i kanë shqiptuar edhe Japonia, Koreja Jugore dhe Bashkimi Evropian. Koreja e Veriut është përballur me sanksione të ashpra të Perëndimit tash e sa vjet. Zyrtarëve të sanksionuar do t’iu bllokohen të gjitha asetet që kanë në Shtetet e Bashkuara. Në testimin e fundit Ministria japoneze e Mbrojtjes tha se raketa ka pasur kapacitet për të arritur në tokën amerikane.
Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017 dhe është raportuar se po përgatitet për testimin e shtatë. Këtë vit, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore. Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje. Ky dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes./ REL
Rruga Press