Kuriozitete

Testi i ri i gjakut zbulon se cilat nga organet po plaken më shpejtë

Një test i gjakut mund të tregojë se cili nga organet plaket më shpejt, ka treguar së fundmi një studim, raportoi të enjten “The Sun”.

Studiuesit amerikanë kanë zbuluar se testet mund të ndihmojnë në zbulimin e një rreziku më të lartë të zhvillimit të sëmundjeve.

Ky lloj testi mund të parashikojë përparimin e sëmundjeve si Alzheimeri, si dhe t’i ndihmojë njerëzit të marrin trajtim përpara se të sëmuren.

“Mund të vlerësojmë moshën biologjike të një organi në një person në dukje të shëndetshëm. Kjo, nga ana tjetër, parashikon rrezikun e një personi për sëmundje të lidhura me atë organ”, ka thënë profesori Tony Wyss-Coray, i Universitetit të Stanfordit.

Studimi, i botuar në Nature, përdori inteligjencën artificiale për të vlerësuar nivelet e proteinave në gjak, duke përdorur testin.

Ata u fokusuan në 11 organe kryesore, sisteme organesh ose inde, duke përfshirë trurin, zemrën, mushkëritë, veshkat, mëlçinë, pankreasin dhe zorrët, si dhe sistemin imunitar, muskujt, yndyrën dhe enët e gjakut.

Janë kontrolluar nivelet e pothuajse 5,000 proteinave në gjakun e 1,398 pacientëve të shëndetshëm në Qendrën Knight Alzheimer’s Disease Research. Ata varionin nga mosha 20 deri në 90 vjeç, por ishin kryesisht në fazat e mesme dhe të vonshme të jetës.

Studiuesit thanë se plakja e përshpejtuar e organeve “shpreh një rrezik 20 deri në 50 për qind më të lartë të vdekshmërisë”.

Ata me plakje të përshpejtuar të zemrës kishin 250 për qind më shumë gjasa të kishin dështim të zemrës, ndërsa plakja e përshpejtuar e trurit dhe e enëve të gjakut mund të parashikonte përparimin e Alzheimerit.

Rreth 944,000 britanikë aktualisht jetojnë me demencë dhe ekspertët parashikojnë se numrat do të kalojnë mbi një milion deri në fund të dekadës.

Sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e gjendjes dhe mendohet se shkaktohet nga grumbullimi i proteinave në tru, duke përfshirë tau dhe amiloid.

Aktualisht nuk ka kurë për sëmundjen, megjithëse janë tre ilaçe premtuese për të ngadalësuar përparimin e saj.

“Sëmundjet që shkaktojnë demencë – si Alzheimer – mund të fillojnë në tru dekada përpara se të shfaqen simptomat”, ka thënë Leah Mursaleen, nga Alzheimer’s Research në Mbretërinë e Bashkuar.

Rruga Press

YouTube player