Testet e shpejta deri në 2022, Ministria e Shëndetësisë shpenzon 5 milionë euro për kite
Strategjia për testet e shpejta anti-COVID pritet të ndiqet deri në fillim të vitit 2022.
Pas mbërritjes së 100 mijë testeve, të cilët do të jenë në përdorim për 3 muaj, Ministria e Shëndetësisë kërkon një kompani tjetër që të furnizojë spitalet për 1 vit rresht.
Data 7 dhjetor ka shënuar një fazë të re në strategjinë e luftës anti-COVID, me nisjen e testeve të shpejta, rezultati i të cilave del për 30 minuta.
Janë 100 mijë kite të cilat do të shkojnë për nevojat e popullatës së prekur me Covid, ndërsa kontratën për furnizimin e laboratorëve dhe spitaleve e ka fituar një kompani e cila ka fituar 86 kontrata publike, nga të cilat 24 me Ministrinë e Shëndetësisë dhe 15 me spitalin “Nënë Tereza”.
Për këto të testime, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tenderin negocim pa shpallje, një procedurë kjo që ligji e lejon për raste emergjencash, por megjithatë klasifikohet si prokurim me dyshime për favorizime e përzgjedhje klienteliste.
Kontrata është firmosur me afat 3 muaj, dhe ka kushtuar 124 milionë lekë, ose 1 milionë euro, e thënë më thjesht, një kit është blerë për 10 euro.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë mendon që strategjinë e diagnostikimit përmes testeve të shpejta, ta përdorë deri në fillim të vitit 2022, pasi synon blerjen e më shumë testeve për nevoja të Njësive vendore të Kujdesit Shëndetësor.
Për blerjen e këtij malli, Ministria e shëndetësisë ka vënë në dispozicion, 4 milionë euro dhe fton kompanitë të shpallin interesin deri në 12 janar. Por, një tender i këtij lloji mund të krijojë dëm për buxhetin, pasi pandemia COVID-19 mund të marrë një tjetër rrjedhë nëse nis fushata e vaksinimit, ndërkohë me një skenar të dytë vlera e këtyre testeve në treg mund të bjerë me prodhimin masiv të tyre.
I njëjti precedent ndodhi edhe me pajisjet mbrojtëse anti-COVID, për të cilat Ministria ofroi 5 milionë euro, ndërsa vlera e tyre zbriti me 5 herë.
Në tenderin në fjalë, nga 10 kompani që shpallën interes, gjysma ofruan 800 mijë deri në 1.5 milionë euro, por u kualifikua në fund një ndër kompanitë që ofroi 3 milionë euro.
Me paratë e kursyera nga këto kontrata, ose të menaxhuara më drejt, shpenzimet për nevojat e pandemisë mund të krijonin një panoramë tjetër nga ajo që po ndodh sot.