Tërmeti në Turqi, Erdogan shpall gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj
Erdogan ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka folur për situatën kritike që ka përfshirë vendin e tij dhe ndihmat që po jepen nga gjithë bota.
Ai tha se aktualisht nga buxheti i shtetit janë shpërndarë 5 miliardë dollarë ndërsa shtoi se në terren janë 53,317 oficerë që po kërkojnë njerëzit që kanë ngelur nën gërmadha.
Erdogan bëri me dije ndër të tjera se në gatishmëri është dhe personeli shëndetësor.
Presidenti turk tha se tërmeti që goditi Turqinë mëngjesin e së hënës, duke i marrë jetën më shumë se 3 mijë personave deri më tani, ishte “fatkeqësia më e madhe” që kishte goditur ndonjëherë më parë vendin.
Një ditë më parë, Turqia shpalli 7 ditë zie kombëtare.
Zonat e prekura në Turqi janë Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.
“Aktualisht, 53,317 oficerët tanë të kërkim-shpëtimit dhe personeli mbështetës po punon në zonën e rrënojave, dhe ky numër po rritet çdo orë që kalon me ekipe shtesë që vijnë nga jashtë. Gjithashtu po zbatojmë hap pas hapi masat për plotësimin e të gjitha nevojave të viktimave të fatkeqësisë që i kanë shpëtuar tërmetit.
54 mijë tenda, 102 mijë shtretër dhe materiale të tjera u dërguan në rajon për t’iu dorëzuar viktimave të fatkeqësisë.
Në selinë e AFAD-it po punon nënkryetari ynë dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me miqtë tanë.
Në radhë të parë, ne ndamë menjëherë një fond prej 100 miliardë lira për institucionet tona për ndihmë emergjente dhe aktivitete mbështetëse. Mbajtja hapur e linjave të transportit dhe komunikimit është e një rëndësie jetike. Për shkak të kushteve të vështira të dimrit, ka ende vështirësi në dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit dhe pajisjeve dhe materialeve të ndihmës në zonën e tërmetit.
Për këtë, rikujtoj se askush nuk duhet të përdorë rrugët në zonën e tërmetit, nëse nuk është e nevojshme.
Në shëndetësi, në qark u transferuan gjithsej 5 mijë vetë personel shëndetësor me afro një mijë autoambulanca, 241 ekipe të UMKE dhe 2 avionë ambulanca. Qytetarët tanë në mbarë vendin dhurojnë gjak për ta përdorur në rast nevoje. Përveç mijëra vetëve personel të Forcave të Armatosura Turke, në aktivitetet e evakuimit dhe transportit janë përfshirë edhe 10 anije të marinës sonë dhe avionë mallrash të forcave tona ajrore.
Policia dhe xhandarmëria jonë janë në shërbim në të gjithë zonën e fatkeqësisë.”, tha Erdogan.
Rruga Press