Bota

Tërheqja e Hollywoodit godet kinematografinë ruse

Për disa vjet, rusja Mila Grekov ka përkthyer filmat amerikanë, por kur ushtria e Rusisë mësyu Ukrainën, ajo menjëherë mbeti pa punë. Por as kjo nuk e ka bërë atë që ta kundërshtojë presidentin Vladimir Putin.

“Sot e urrej Perëndimin e jo Putinin”, ka thënë për AFP-në 56-vjeçarja. “Bollywoodi ndoshta në Rusi do ta zëvendësojë Hollywoodin, por për mua është tepër vonë që ta mësoj gjuhën indiane“, ka shtuar Grekova, duke menduar në refuzimin e Indisë që t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

Industria e filmit në Rusi, pas luftës në Ukrainë, sërish është në situatë të vështirë, e tek tash ka nisur të rimëkëmbet për shkak të pandemisë. Ashtu sikurse edhe sektorë të tjerë të goditur nga sanksionet, industria e filmit dalëngadalë po tërhiqet prej Perëndimit duke u kthyer te filmat e vet dhe tek ata aziatikë.

Rusët janë vizitorë pasionantë të kinemave dhe kanë numrin më të madh të biletave të shitura në Evropë – vitin e kaluar arriti në 145,7 milionë – dhe shumica prej tyre mësyjnë kinematë për të parë filmat hollywoodianë të cilët në të shumtën e rasteve sinkronizohen në rusisht në vend të përkthimit me titra.

Para se të tërhiqej Hollywoodi, kompania “Mosfilm-Master” sinkronizonte deri në dhjetë filma në muaj, kryesisht prej anglishtes.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

“Tash kemi humbur dy të tretat e punëve”, i ka thënë AFP-së Jevgenij Belin nga studioja me teknologji të lartë të sinkronizimit me seli në Moskë. “Në pandemi kemi pasur filma, por sallat ishin boshe. Tash kemi kinema, por jo edhe filma”.

Nga Rrjeti i Kinemave të Rusisë, muajin e kaluar kanë thënë se kinematë rrezikojnë të humbin deri në 80 për qind të të hyrave. Që t’i përshtatet situatës, kjo kompani po kërkon përkthyes nga gjuha koreane edhe mandarine, edhe pse, siç thotë Belin, dyshon që “filmat aziatikë do të jenë tërheqës për rusët” për shkak të dallimeve kulturore.

“Perëndimorët na janë më të afërt”, thotë 70-vjeçari, i cili ka kaluar 30 vjet në sinkronizim filmash.

Olga Zinjakova, drejtuese e “Karoa”, njëri prej rrjeteve kryesor të kinemave në Rusi, thotë se është e bindur që industria do të rimëkëmbet.

“Situata është e vështirë, por nuk është katastrofike”, ka thënë 37-vjeçarja. “Prej ardhjes së Hollywoodit në Rusinë postsovjetike para 30 vjetësh, kemi pasur disa kriza: politike, ekonomike e shëndetësore”, ka thënë Zinjakova, e rrethuar me karrige të zbrazëta në kinemanë “Oktjabr” në Moskë, salla më e madhe e kinemasë në Evropë me 1 mijë e 500 ulëse.

Prej fillimit të luftës në Ukrainë, numri i biletave në këtë rrjet kinemash ka rënë për 70 për qind, ka thënë ajo.

Qeveria e Rusisë ka premtuar ndihma financiare dhe lehtësime taksash për kompanitë filmike dhe kinematë, me shpresë që do të zëvendësojë filmat hollywoodianë me produksione vendore.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

“Rusët edhe më thellë do ta kërkojnë identitetin e vet”, ka thënë Zinjakov, duke theksuar suksesin e disa prej filmave rusë në vitet ’90, në mesin e të cilëve edhe filmi “Vëllai”, i cili sërish po rishfaqet në disa prej kinemave të Moskës.

Zinjakov në të ardhmen po përgatitet edhe për shfaqjen e më shumë filmave aziatikë dhe latino-amerikanë. “Kur një ditë të kthehet Hollywoodi, tregu rus dhe shikuesit nuk do të jenë më të njëjtë”.

Pavel Doreuli, inxhinieri 44-vjeçar, i cili në vit punon në rreth 15 filma rusë, ka thënë se nuk çuditet që Hollywoodi është tërhequr nga Rusia.

“Kinematografia botërore tash e sa vjet është peng i politikës”, ka thënë ai duke shtuar se festivalet si ai i Berlinit dhe i Cannesit nuk janë më për artin, por promovojnë “vlera të caktuara”.

Por Doreuli thotë se është dëm që Rusia do të jetë e shkëputur nga bota e filmit, teksa rikujton përjashtimin e delegacionit rus nga edicioni i sivjetmë i filmit në Cannes.

“Nëse i përjashtojnë nga festivalet ndërkombëtare, rusët do të heqin dorë nga filmi artistik që shfaq një perspektivë tjetër të botës, e që sot ka shumë rëndësi”, ka thënë ai. /Al Jazeera

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *