Tepelena: Tirana është kthyer në një qytet skizofrenik pikërisht për zënien e hapësirave publike
Aktivisti Andi Tepelena, në një intervistë për Syri TV me moderatorin Edvin Parruca, ngriti alarmin për situatën urbanistike në kryeqytet, duke e cilësuar Tiranën një qytet që po humbet identitetin dhe po shndërrohet në një “qytet skizofrenik”.
Sipas tij, hapësirat publike po zhduken një nga një, duke u zëvendësuar me ndërtime të reja që “janë si mish i huaj mes ndërtimeve të tjera”. “Në vend që qytetarët të kenë fusha sportive dhe hapësira lojërash për fëmijët, ata sot kërkojnë të ndërtojnë diçka jashtë Tiranës, sepse këtu nuk merret më frymë nga mbingarkesa e ndërtimeve”, u shpreh Tepelena.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vijon të ndjekë një model zhvillimi kaotik, duke e trajtuar Tiranën si një projekt personal urbanistik e jo si një qytet me nevoja reale. “Kjo është egoja e tij për të qenë një kryebashkiak-menaxher, jo kryeministër”, tha aktivisti.
Një nga shqetësimet kryesore, sipas Tepelenës, mbetet infrastruktura nëntokësore, e cila është ende ajo e kohës së komunizmit dhe nuk mund të përballojë ndërtesat e larta që po shtohen me shpejtësi. Ai paralajmëroi se kjo do të sjellë probleme të mëdha strukturore dhe funksionale në të ardhmen.
“Tirana po kthehet në një geto të vërtetë, me një dendësi që kalon deri në katër herë normën e Bashkimit Evropian. Kjo e bën jetesën toksike, sepse qyteti humb kontaktin me natyrën dhe hapësirat e përbashkëta”, theksoi Tepelena.
Tepelena:
Ne jetojmë në Tiranë dhe Tirana gati gati është kthyer në një qytet skizofrenik pikërisht për zënien e hapësirave publike dhe aty ku është mundur të luajnë fëmijët, të kenë fusha sportive e tjetra, sot qytetarët e Tiranës, kërkojnë të ndërtojnë diçka tjetër jashtë Tiranës sepse pikërisht të merret fryma nga ndërtimet, ka ndërtime si mish i huaj mes ndërtimeve të tjera.
Kjo tash po ndodh random, ky është modeli i zhvillimit të Ramës, nuk është se presim ndonjë surprizë në këtë rast, vazhdon ajo egoja e tij për të qenë një kryebashkiak menaxher i qytetit, pra nuk po bën kryeministrin.
Fatura financiare rëndohet për qytetarët shqiptarë por mbi të gjitha është një plagë për qytetin në vetvete, qyteti humb identitetin, që është shumë e rëndësishme, Tirana është shfytyruar le të themi, por mendoni edhe rrjetin inxhinierik që është nën këto ndërtime të larta, domethënë Tirana sot ende ka rrjetin inxhinierik nëntokësor ende të kohës së Enverit, të kohës së komunizmit, imagjinoni gjithë këto ndërtesa të larta çfarë problemesh do të sjellin me kalimin e kohës për të gjithë strukturën nëntokësore.
Tirana do kthehet në një geto të vërtetë në aspektin e menaxhimit por edhe në aspektin e dendësisë, pra Tirana sot ka një dendësi, ka një normë të jashtëzakonshme dendësie, kalon deri në 4 herë normën e Bashkimit Evropian.
Të gjitha këta faktorë e bëjnë toksike bashkëjetesën në qytet sepse humbet kontakti me natyrën. Me hapësirat e përbashkëta.
Rruga Press

