Tenderat e “kopsitur”, Agjencia e Prokurimeve publike: Fund kritereve pa kuptim
“Qepja me dorë, e procedurës së tenderit si kostum me porosi e cenon drejtpërdrejt shkallën e nivelit të pjesëmarrjes.”– shprehet Edi Rama.
Thirrja e kryeministrit Edi Rama për ndjekje penale apo për të rritur konkurrencën për të lehtësuar buxhetin u kthye në fjalë që e mori era.
Bashkitë, ministritë por dhe institucionet e tjera shtetërore nuk kanë hequr dorë nga kriteret e qepura si kostum me porosi për kompani që shpallen fituese ende pa u hapur tenderi.
Së fundi është agjencia e prokurimit publik që ka kërkuar të hiqet dorë nga kjo situatë.
Në tërheqjen e vërejtjes APP kërkon që në çdo rast hartimi i kërkesave për kualifikim të argumentohet teknikisht dhe ligjërisht si dhe të dokumentohet në një procerverbal nga personat e ngarkuar.
Në këtë mënyrë ngarkohen ligjërisht anëtarët e komisionit të cilët duhet të nënshkruajnë në çdo faqe
Tashmë atyre do tu kërkohen që në lidhje me kërkesat për kualifikimin që lidhen me kapacitetin teknik duhet të argumentojnë çdo kriter.
Po ashtu dhe në rastin e fuqisë punëtore duhet të bëhet analiza teknike ku të parashikohen edhe mjetet për secilin zë, sipas afateve.
Pra të argumentohet se për cilën arsye është vendosur një numër punonjësish apo numër mjetesh.
Në shumë raste është vënë re se në mënyrë direkte apo indirekte kërkohen marka ose origjinat specifike për produkte apo shërbimet.
Si shembull Agjencia e prokurorimit Publik jep tenderat e blerjes së automjeteve ku shpesh në kritere përcaktohet vëllimi i motorit, përmasat e mjetit, me parametra fiks që kufizojnë pjesëmarrjen
“Kjo orienton ofertuesit drejt markave specifike dhe distributorëve specifik”, thuhet në dokument ku shtohet se dhe përjashtohen oferta për pajisje me parametra më të larta.
Rruga Press