BallinaLajme

Tenderat e ARRSH/ Mbikalimi i TEG, fituese oferta më e shtrenjtë

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) pritet të mbyllë brenda ditëve të ardhshme prokurimet për ndërtimin dhe supervizionin e punimeve për disa akse të reja me vlerë të fondit limit prej 4,1 miliardë lekësh, apo rreth 33 milionë euro.

Bëhet fjalë për rrugën Palasë-Dhërmi, me vlerë 1,6 miliardë lekë; ndërtimin e mbikalimit të TEG-ut së bashku me rrugët lidhëse, me vlerë 1,4 miliardë lekë; aksin që lidh Rrugën e Kombit me Aeroportin e Kukësit, me vlerë rreth 600 milionë lekë; si dhe rrugën Dukaj-Sinanaj në Tepelenë me vlerë 393 milionë lekë.

Të gjitha këto projekte shihen me rëndësi strategjike nga qeveria, si rruga Palasë-Dhërmi që lehtëson lëvizjen për turistët drejt bregdetit të Jugut, duke krijuar akses edhe daljen e Tunelit të Llogarasë. Po ashtu, mbikalimi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut do të rrisë sigurinë rrugore dhe lehtësojë trafikun nga Tirana në Elbasan dhe anasjellas.

Në prag të mbylljes së vitit buxhetor, qeveria po nxiton të mbyllë projektet e planifikuara në buxhetin e këtij viti. Sipas të dhënave të OpenProcurement, që prej 1 janarit, ARRSH ka hapur 61 tendera, me fond prej 14,5 miliardë lekësh, por ka akorduar deri më tani vetëm gjysmën.

Bie në sy që për tenderat e mbyllur deri më tani, oferta fituese ka qenë mesatarisht sa 97% e fondit limit, që përkthehet në një shpenzim joeficient të parave publike. E njëjta gjë duket se do të përsëritet edhe për tenderat e fundvitit. Sipas njoftimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, për mbikalimin e TEG-ut ndërmjet 7 operatorëve pjesëmarrës, ofertat më të ulëta janë skualifikuar, duke lënë edhe njëherë ofertën fituese fare pranë tavanit të fondit limit.

OpenProcurement liston gjithashtu për shkak të parregullsive dhe ankesave të operatorëve në tenderat e ndryshëm të ARRSH, disa prej këtyre procedurave me flamur të kuq, që sinjalizon rrezikun e korrupsionit.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut
YouTube player