KryesoreLajme

Tendencat e Serbisë për të cenuar sovranitetin e Kosovës përmes ligjit për juridiksion, Qorrolli përplaset me ministren serbe në konferencën BE-Ballkan në Budva

Në Konferencën ministeriale BE-Ballkani Perëndimor për drejtësinë dhe çështjet e brendshme të  bashkëorganizuar nga presidenca hungareze e Këshillit të BE dhe Ministria e Drejtësisë së Malit të Zi, ka ndodhur një përplasje verbale mes zvëndësministrit të Drejtësisë, Vigan Qorrolli dhe ministres serbe të Drejtësisë, Maja Popoviq.

Deri tek kjo përplasje erdhi pasi që zëvendësministri Qorrolli shprehu shqetësimin e tij për vendimin e marrrë nga Qeveria e Serbisë, e cila ka miratuar ligjin për riorganizimin e sektorit të drejtësisë, i cili ka të bëjë me juridiksionin e gjykatave.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Qorrolli u shpreh se çdo tendencë e Serbisë për të cenuar sovranitetin e Kosovës duhet dënuar ashpër.

“Është raportuar se kjo përfshin krijimin e një departamenti të ri special në Prokurorinë Speciale në Beograd për gjoja “krimet e kryera në territorin e Kosovës”. Çdo tendencë e Serbisë për të krijuar një autoritet të ri gjyqësor në këtë drejtim, është vazhdimësi e tendencave të tyre për të cenuar sovranitetin e Kosovës dhe kjo duhet dënuar ashpër”, u shpreh Qorrolli.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Ai përmendi edhe sulmin terrorist që ndodhi shtatorin e kaluar në Banjskë.

“Të nderuar përfaqësues, vitin e kaluar veriu i Republikës së Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në krye me Milan Radoiçiq dhe të mbështetur nga aparati shtetëror serb. Ne si Qeveri e Kosovës jemi për të vendosur paqen e qëndrueshme për brezat e ardhshëm dhe kësisoj presim që Milan Radoiçiq dhe grupi i tij terrorist të ekstradohen në Kosovë sepse vetëm organet e drejtësisë së Kosovës kanë të drejtë të hetojnë këtë agresion dhe këtë  sulm terrorist dhe kështu shteti ynë mund të garantojë një gjykim të drejtë”, tha Qorrolli.

Në një prononcim për Telegrafin, Qorrolli ka bërë të ditur se ministrja serbe, Maja Pupoviq ka reaguar duke iu referuar vazhdimisht Kosovës si krahinë autonome dhe provincë e Serbisë.

“Unë kam dënuar ashpër dhe kam kërkuar që të merren masa ndaj Serbisë për shkak të thyerjes së rregullave multilaterale të takimeve ku Serbia vazhdon me ofendua Kosovën. Provokimet e ministres serbe kanë shkaktuar reagimin e të gjithëve përfshirë reagimin tim”, ka thënë Qorrolli.

Ai ka shtuar se ndër të tjera ka kërkuar edhe ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij terrorist.

Qorrolli tha se në replikën e saj përfundimtare ministrja serbe ka thënë se do të marrin masa ndaj Radioçiqt dhe nuk tha asgjë më shumë .

YouTube player