KryesoreOpinion/Aktualitet

Telekomi si kafshatë

Shkruan Shqiprim Pula

Për cilëndo iniciativë dhe synim për një privatizim të mundshëm në të ardhmen do të duhej që domosdo të bëhet një kërkim cilësor studimi, analizë e bazuar në teoritë kritike të zhvillimit ekonomik, duke krahasuar të dhëna empirike dhe raste të shteteve që kanë afërsisht kontekst politik, ekonomik e social si vendi ynë. Andaj, duke e ruajtur asetin e ruani dhe shtetin

Fushata politike tashmë ka marrë hov dhe gjatë shpalosjes së pikave programore politike po prezantohet edhe planifikimi i privatizimit të një aseti ekonomik jashtëzakonisht të rëndësishëm shtetëror dhe i sigurisë kombëtare, siç është Telekomi i Kosovës.

Privatizimi do të nënkuptonte një gërshetim të bashkimit të interesave politike dhe ekonomike, tek biznesi “elitar” si transfer i asetit shtetëror për përfitime financiare. Një privatizim i ndodhur do të nënkuptonte fshehurazi realizimin e interesave financiare dhe të përfitimit politik, duke i mundësuar biznesit “elitar” një mjet të përshtatshëm për të arritur qëllime të shumta, por jo përmirësim organizativ e performues dhe as mirëqenie më të mirë të nëpunësve publikë të Telekomit, thjesht të privatizohet një aset vital shtetëror.

Një privatizim i mundshëm për rrethanat e vendit do të nënkuptonte përfitim për biznesin “elitar” për më tepër pushtet në kurriz të qytetarit apo të përdoruesit fundor të Telekomit, prandaj kjo nuk duhet të ndodhë tani.

Në vitet e paspavarësisë, Telekomi i Kosovës, si aset ekonomik vital i vendit, vlerësohej me vlerë financiare prej një (1) miliard eurosh, më pas me shtatëqind (700) milionë euro e dikur me treqind (300) milionë euro, dhe krejt në fund u soll në prag falimentimi pa asnjë vlerë, si rezultat i keqmenaxhimit (edhe) të qëllimshëm që lehtësisht të gllabërohej nga ata që kishin rol me kontrata të dëmshme.

Lexo më shumë  Serbët punojnë me çdo lloj mjeti për të fabrikuar legjendat, të cilat bota i lexon në formë të kurioziteteve

Kontrata që ishin edhe fantome jo vetëm për përdoruesit fundorë por edhe për vetë nëpunësit e Telekomit me përmbajtje e përcaktim afatesh si barrë e rëndë financiare për Telekomin e po ashtu edhe për buxhetin e Republikës.

Telekomin nuk e vlerësuan si aset ekonomik të rëndësisë së veçantë për shtetin dhe për institucionet e saj, por si mundësi zhvatjeje e degradimi për përfitime të grupeve të interesit, të lidhura ngushtë me politikën vendore.

Institucione si asete me rëndësi të veçantë në nivel Republike janë disa sosh; Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, Hekurudhat e Kosovës, Aeroporti i Kosovës, Burgjet e Kosovës, Presidenca, Parlamenti me autoritetet e saj, Qeveria me agjencitë e saj e të tjera; të cilat, të gjitha e secila veç e veç, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me shërbimet e ofruara nga Telekomi i Kosovës, prandaj çdo tendencë për ta privatizuar do të bartte edhe pasoja të mundshme e të paparashikueshme për Republikën.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë nxjerrë studime për vendet në zhvillim mbi politikat e privatizimit, e edhe për sektorin e telekomunikacionit, ku duhet të vihen në pah kontekste të ndryshme si historike, politike, ekonomike e sociale për të ndjekur politika privatizimi për të evituar monopolin në treg. Edhe Bashkimi Evropian (BE) ka kritere që duhen përmbushur për të evituar monopolin dhe për ta mundësuar ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë, bile ka kushtëzuar disa vende para anëtarësimit që ta privatizojnë Telekomin, por, po ashtu ka edhe vende anëtare të BE-së që nuk e kanë privatizuar Telekomin publik, sepse kanë lejuar operator të telekomunikimeve t’i kenë në treg, siç është rasti edhe me vendin tonë që, përpos Telekomit të Kosovës, kemi edhe operatorë të tjerë që ofrojnë po të njëjtat shërbime telekomunikuese, kështu, duke përmbushur kriterin konkurrues në treg.

Lexo më shumë  Pse media në Kosovë është kaq e pabesueshme nga publiku?

Republika e Kosovës, kompaninë publike të transformuara në shoqëri aksionare të qeverisë, me të cilën ofrohen shërbime të telefonisë fikse, mobile “VALA” dhe të internetit, nga 2010-a dy herë ka tentuar ta privatizojë me arsyetimin se ky “proces është pjesë e reformës strukturore të ekonomisë së Kosovës”, por, për arsye të njohura e të panjohura kanë dështuar. Prandaj, çdo lloj prezantimi politik dhe planifikim i privatizimit të këtij aseti ekonomik jashtëzakonisht të rëndësishëm shtetëror e njëkohësisht të sigurisë kombëtare në këto rrethana, tani veçse është arsyetim instrumental i lidhur thellë me grupe interesi.

Tashmë kur Telekomi i Kosovës është rikthyer në një menaxhim normal dhe me qarkullim financiar stabil e profitabil, pas ndërhyrjeve të viteve të fundit nga ana e aksionarit, nuk ka kurrfarë arsye të ndodhë privatizimi i saj. Të paktën, jo në të ardhmen e afërt.

Për cilëndo iniciativë dhe synim për një privatizim të mundshëm në të ardhmen do të duhej që domosdo të bëhet një kërkim cilësor studimi, analizë e bazuar në teoritë kritike të zhvillimit ekonomik, duke krahasuar të dhëna empirike dhe raste të shteteve që kanë afërsisht kontekst politik, ekonomik e social si vendi ynë. Andaj, duke e ruajtur asetin e ruani dhe shtetin.

YouTube player