KryesoreLajme

Telekomi i Kosovës mbyll vitin 2025 me fitim rreth 9 milionë euro  dhe investime të fuqishme në teknologji

Telekomi i Kosovës Sh.A. ka përmbyllur vitin 2025 me rezultate pozitive financiare, modernizim të avancuar teknologjik dhe përmirësim të ndjeshëm të shërbimeve, duke u pozicionuar si një nga ndërmarrjet publike më stabile dhe inovative në vend.

Në një konferencë për media kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës znj.Burbuqe Hana së bashku me udhëheqës të telekomit prezantoi të arriturat vjetore për vitin 2025. Hana tha se pas një periudhe rimëkëmbjeje që nisi në vitin 2020, Telekomi i Kosovës ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të qëndrueshëm, duke operuar me fitim dhe duke realizuar investime të rëndësishme në teknologji bashkëkohore. Rezultatet e vitit 2025 reflektojnë përkushtim institucional, menaxhim efikas dhe besim të vazhdueshëm të klientëve.

Modernizimi i shërbimeve mobile

Rrjeti VALA është modernizuar me teknologjitë 4G+ dhe 5G, duke ofruar shpejtësi deri në 1Gbps. Trafiku ditor i të dhënave ka tejkaluar 180 TB, trefish më i lartë krahasuar me vitin 2020.

Telekomi numëron rreth 830 mijë klientë aktivë në shërbimet mobile, prej të cilëve mbi 120 mijë janë përdorues të teknologjisë 5G. Mbuleshmëria e rrjetit ka arritur nivele të larta si në popullsi ashtu edhe në territor.

Lexo më shumë  Atdheun po e vret heshtja intelektuale

Shërbimet fikse dhe rrjeti optik

Në shërbimet fikse, Telekomi mban rreth 8.5 për qind të tregut, me gjithsej 38,700 klientë aktivë. Gjatë vitit 2025 janë investuar mbi 12 milionë euro në zgjerimin e rrjetit optik, me 27 punishte të përfunduara dhe 41 të tjera në proces.

Siguri kibernetike dhe stabilitet operacional

Gjatë vitit është implementuar platforma e re e sigurisë kibernetike me teknologji Fortinet, duke rritur nivelin e mbrojtjes së sistemeve dhe të dhënave të kompanisë.

Rezultate të forta financiare

Për periudhën janar–nëntor 2025, Telekomi i Kosovës ka realizuar:

  • Të hyra: 61.3 milionë euro
  • Fitim neto: 8.2 milionë euro
  • Rritje prej 15% krahasuar me vitin 2024

Kompania ka ushtruar kontroll të plotë mbi shpenzimet dhe ka shlyer të gjitha obligimet e trashëguara dhe ato rrjedhëse ndaj kreditorëve, institucioneve shtetërore dhe rregullatorëve.

Kontribut i drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës

Vetëm gjatë vitit 2025, Telekomi i Kosovës ka kontribuar mbi 17.2 milionë euro në buxhetin e Republikës së Kosovës përmes tatimeve, pagesave ndaj ARKEP-it dhe kthimit të kredive.

Lexo më shumë  Kurti në Podujevë: Banka Zhvillimore do të mbështesë prodhimtarinë me 1 miliard euro

Shitja, marketingu dhe kujdesi ndaj klientëve

Gjatë vitit janë hapur katër pika të reja të shitjes, ndërsa Telekomi është i pranishëm përmes partnerëve në rreth 3,000 lokacione. Aplikacioni “Vala jone” ka tejkaluar 200 mijë përdorues aktivë dhe mbi 2 milionë euro pagesa, duke shënuar rritje mbi 100 për qind.

Një ndër arritjet kryesore është edhe marrëveshja ekskluzive me RTK për transmetimin e Kupës Botërore FIFA 2026.

Përmirësim i ndjeshëm i shërbimit ndaj konsumatorëve

Koha mesatare e pritjes në qendrën e thirrjeve është ulur në 50 sekonda, ndërsa shkalla e zgjidhjes së ankesave në thirrjen e parë ka arritur 90 për qind. Niveli i kënaqshmërisë së klientëve (NPS) ka tejkaluar pragun 50.

Burimet njerëzore dhe aspekti ligjor

Telekomi ka përfunduar me sukses procesin e ristrukturimit për 1,653 punonjës, ka avancuar digjitalizimin e burimeve njerëzore dhe ka forcuar kulturën korporative. Në aspektin ligjor, kompania ka shënuar qindra vendime gjyqësore në favor të saj dhe ka arkëtuar qindra mijëra euro nga rastet e përmbarimit.


Telekomi i Kosovës Sh.A. mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, inovacionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve, me synim të jetë një shtyllë e besueshme e komunikimit digjital dhe zhvillimit ekonomik në Republikën e Kosovës. /kosovanews/

YouTube player