Tekefundit, ne edhe mund të bëhemi “më amerikanë se amerikanët”, por çka nëse Amerika më nuk do të dojë të jetë me neve?!
Shkuran Xhevdet Pozhari
Nëse lexoni memoare të politikanëve të fuqishëm, do ta kuptoni se Donald Trump në raport me Zelenskyn e ka bërë publikisht atë që është bërë gjithmonë prapa perdeve, larg syve të publikut: i vogli dhe i pafuqishmi gjithmonë ka bërë atë që i është kërkuar, e jo rrallëherë është poshtëruar.
Historia na rrëfen se vjen një kohë kur perandoritë bëhen arrogante! Nuk vlen paralelja në këtë rast dhe ngjashmëritë mund të jenë të rastësishme – periudha e arrogancës së perandorive ka qenë paralajmëruese e rrënimit të tyre.
Me sjelljet e fundit të Trump, jo vetëm ndaj Zelenskyt, mund të ndikojë edhe në forcimin e Evropës e cila brenda këtij muaji e ka kuptuar se nuk vlen asgjë nëse për shumëçka varet nga Amerika.
E, sot jetojmë në kohë kur e tërë bota ka nevojë për një rend të ri shoqëror. Fatkeqësisht, rendet e reja arrihen përmes tronditjeve të mëdha! Dikush më i drejtpërdrejtë do të thoshte se ne nuk jemi në prag të luftës së tretë botërore, por tashmë kemi hyrë në paradhomën e saj.
Kuptohet, pyetja që na mundon secilin është se si do të na trajtoj neve Amerika e Trumpit?
E, derisa të qartësohet kjo përgjigje, mbetet e vërteta e vetme – sido që të na trajtojë, ne do të mund ta kemi vetëm atë që mund ta mbrojmë dhe ta meritojmë. Kjo ngaqë në këto hapësira kanë ardhur dhe kanë kaluar perandori të ndryshme, por kanë mbetur veç ata të cilët, para së gjithash, i besojnë vetvetes. Prandaj, shumë më e udhës është të merremi me vetveten, e jo veç me Amerikën!
Tekefundit, ne edhe mund të bëhemi “më amerikanë se amerikanët”, por çka nëse Amerika më nuk do të dojë të jetë me neve?!
Rruga Press