Art & Kulturë

Të shkruarit dhe vendi

ABDULRAZAK GURNAH

Ishin vitet e para që jetoja në Angli, rreth njëzet e një vjeç, koha kur fillova të shkruaj. Në njëfarë kuptimi ishte diçka që ndodhi rastësisht dhe jo si jetësim i një plani. Kisha shkruar më parë kur isha nxënës në Zanzibar, por ato përpjekje ishin detyra lojcake, joserioze, thjesht për t’i argëtuar miqtë dhe për shfaqjet në shkollë, si trill për t’i mbushur orët e lira ose për t’u mburrur. Asnjëherë nuk i kam menduar si fazë përgatitëse për ndonjë gjë, ose nuk e kam menduar veten si dikush që gjakon të jetë shkrimtar.

Gjuha ime e parë është Kiswahili, dhe ndryshe nga shumë gjuhë afrikane, ishte gjuhë e shkruar para kolonializmit evro­pian, megjithëse kjo nuk do të thotë se lëvrimi i saj kishte traditë të madhe. Shembujt më të hershëm të shkrimit josis­tematik datojnë në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Kur isha adoleshent ky shkrim kishte ende kuptim. Përhapej edhe si gjuhë e folur. Por e vetmja letërsi bashkëkohore në Kiswahili që njihja ishin disa poezi të shkurtra që botoheshin në gazeta, apo lexoheshin në programe të njohura në radio, ose ndonjë libër i rrallë me tregime. Shumë nga këto krijime ishin mora­lizuese ose absurde pasi ishin për një masë të gjerë lexuesish. Ata që i shkruan bënin edhe gjëra të tjera, ndoshta ishin mësues ose nëpunës civilë. Nuk më shkoi ndër mend që mund ta bëja unë, apo se duhet ta bëja. Që atëherë ka pasur zhvi­llime të reja të letërsisë në Kiswahili, por unë po flas për perceptimet e mia të atëhershme.

Mendoja për të shkruarit vetëm si kjo lloj veprimtarie e ras­tësishme, deri diku shterpë, dhe kurrë s’më shkoi në mendje ta provoja të shkruaja, përveçse në mënyrën joserioze që për­shkrova. Sidoqoftë, kur ika nga vendi im ambiciet i kisha të thjeshta. Ishte një kohë vështirësish, ankthi, terrori shtetëror, poshtërimesh të llogaritura dhe, në moshën tetëmbëdhjetë vjeçe, gjithçka që doja të bëja ishte vetëm të largohesha dhe të isha i sigurt dhe t’i përmbushja këto ambicie diku tjetër. Isha më larg se kurrë nga ideja e të shkruarit.

Fillova të mendoj ndryshe për të shkruarit në Angli, disa vjet më vonë, sepse isha më i madh në moshë, mendoja dhe shqetësohesha për gjëra që dukeshin të pandërlikuara më parë, por në një pjesë më të madhe kishte të bënte me ndje­njën e pakapërcyeshme të njeriut të tëhuajtur dhe ndryshimit që ndjeva atje. Kishte diçka ngurruese dhe shqetësuese në lidhje me këtë proces. Nuk isha i vetëdijshëm për atë që po më ndodhte dhe vendosa të shkruaja për të. Fillova të shkruaj herë pas here, në një lloj gjendjeje ankthi, pa ndonjë plan, por i shtyrë nga dëshira për të thënë më shumë. Me kalimin e kohës fillova të pyes veten se çfarë ishte ajo që po shkruaja kështu që m’u desh të ndalem dhe të mendoj për atë që po bëja. Pastaj kuptova se po shkruaja nga kujtesa, dhe sa e gjallë dhe dërrmuese ishte ajo kujtesë, sa larg nga ekzistenca çuditërisht pa peshë e viteve të mia të para në Angli. Kjo ndjesi tëhuajësimi e bëri të fortë ndjenjën e një jete të lënë pas, të njerëzve të braktisur rastësisht dhe pa e menduar gjatë, një vend dhe një mënyrë për të qenë i humbur për mua përgjith­monë, siç më dukej në atë kohë.

Kur fillova të shkruaj ishte kjo jetë e humbur për të cilën shkrova, për këtë vend të humbur dhe për atë që mbaja mend nga ai. Në njëfarë mënyre po shkruaja edhe për jetën në Angli ose, të paktën, për praninë në një vend kaq ndryshe nga vendi në kujtesën dhe në qenien time, një vend mjaft i sigurt dhe i largët nga ai që kisha lënë, për të më mbushur me faj dhe keqardhje të pakuptueshme. Dhe ndërsa shkruaja, e gjeta veten të pushtuar për herë të parë nga hidhërimi dhe kotësia e kohët e fundit që kisha jetuar, nga gjithçka që kisha bërë për t’i sjellë ato kohë te vetja, dhe nga ajo që atëherë dukej një jetë çuditërisht joreale në Angli.

Ka një logjikë të njohur në këtë kthesë të ngjarjeve. Ikja nga vendi yt siguron largësinë nga ngjarjet, një këndvështrim tjetër, si dhe një shkallë tjetër depërtimi dhe çlirimi. Ajo e bën më të fuqishme kujtesën, e cila është brendësia e shkrimtarit. Largësia i lejon shkrimtarit një komunikim të pastër me këtë vetvete të brendshme dhe, si pasojë, kemi një lojë më të lirë të imagjinatës. Ky është një argument që e sheh shkrimtarin si një kozmos i vetëmjaftueshëm, dhe më e mira është lënë të lihet të punojë i izoluar. Mund të duket si një ide e modës së vjetër, një vetëdramatizim romantik i autorit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por ajo ende është tërheqëse edhe sot dhe ka bërë qëndresë në mënyra të ndryshme.

Nëse një këndvështrim e sheh largësinë si të dobishme për shkrimtarin dhe e paraqet atë si një botë të mbyllur, një tjetër e sheh largësinë si çliruese të një imagjinate të pazakontë. Ky argument që sugjeron se një zhvendosje e tillë është e nevoj­shme që shkrimtari të krijojë një vepër me vlerë në izolim, sepse ai ose ajo është i lirë nga përgjegjësitë dhe intimitetet që zvogëlojnë dhe zbehin të vërtetën e marrëdhënies së shkrim­tarit me vendin, vjen si jehonë e romantizmit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. I dyti t’i kujton modernistët e dekadave të hershme deri në mes të shekullit të njëzetë. Shumë nga shkrimtarët kryesorë të modernizmit anglez u larguan nga vendi në mënyrë që të shkruanin më me vërtetësi ashtu siç e shihnin ata, larg ndikimit të një klime kulturore që, sipas tyre, ishte vdekjeprurëse.

Kemi edhe një argument të kundërt, që i izoluar mes të huajve, shkrimtari humbet aftësinë e drejtpeshimit, humbet aftësinë e të kuptuarit të njerëzve, të rëndësisë dhe peshës së perceptimeve të veta për ta. Kjo thuhet se është veçanërisht e vërtetë në kohët tona post-perandorake, dhe për shkrimtarët nga territoret që ishin ish-koloni evropiane. Kolonializmi e legjitimoi veten duke iu drejtuar një hierarkie të racës dhe inferioritetit, e cila u formësua në një numër narrativash të kulturës, njohurish dhe përparimit. Ai, gjithashtu, bëri atë që mundi për t’i bindur të kolonizuarit që t’i nënshtroheshin këtij shpjegimi. Rreziku për shkrimtarin postkolonial, për shkak të asaj me të cilën kolonializmi legjitimoi veten, me anë të një hierarkie të racës, duket se ka shkaktuar, ose mund të shkak­tojë tjetërsimin dhe izolimin e jetës së një të huaji në Evropë. Shkrimtari atëherë ka të ngjarë të bëhet përrallë e një emigranti të hidhëruar, i cili përqesh ata që kanë mbetur pas të lavdëruar nga botuesit dhe lexuesit që nuk e kanë braktisur armiqësinë e papranuar dhe që janë tepër të lumtur për të shpërblyer dhe vlerësuar rrëfimin për një gjendje të skajshme në botën joevropiane. Sipas këtij argumenti, të shkruarit midis të huajve do të thotë të shkruash për gjendje të skajshme për të arritur besueshmërinë, për ta miratuar vetëpërbuzjen si regjistër të së vërtetës ose, përndryshe, të refuzohesh si një optimist sentimental.

Të dyja argumentet: largësia është çliruese, largësia është shfytyruese, janë thjeshtëzime, edhe pse kjo s’do të thotë se nuk përmbajnë një pjesë të së vërtetës. E kam jetuar tërë jetën time në moshë të rritur larg vendit tim të lindjes, mes të huajve dhe tani nuk mund ta imagjinoj sesi mund të kisha jetuar ndryshe. Ndonjëherë përpiqem ta bëj këtë dhe mposhtem nga pamundësia e zgjidhjes së zgjedhjeve hipotetike që i nxjerr para vetes. Pra, të shkruaje në gjirin e kulturës dhe historisë sime nuk ishte një mundësi, dhe ndoshta nuk është një mundësi për asnjë shkrimtar në një kuptim të thellë. E di që nisa të shkruaj në Angli, në gjendje tjetërsimi dhe tani e kuptoj se është kjo gjendje e të qenit nga një vend tjetër dhe të jetuarit në një tjetër ka qenë tema ime për vite me radhë, jo si një përvojë unike që kam kaluar, por si një nga historitë e kohës sonë.

Ishte Anglia, gjithashtu, vendi ku pata rastin të lexoja shumë. Në Zanzibar librat ishin të shtrenjtë dhe libraritë ishin të pakta dhe kishin pak libra. Edhe bibliotekat ishin të pakta dhe të vjetra. Për më tepër, nuk kisha njohuri për atë që doja të lexoja dhe mora ato libra që më dolën krejt rastësisht para. Në Angli mundësia për të lexuar dukej e pakufishme, dhe ngadalë anglishtja u shfaq para meje si një shtëpi me hapësirë dhe e begatë, duke më përmbushur nevojat për lexime dhe shkrime me mikpritje të shkujdesur.

Edhe kjo ishte një rrugë tjetër drejt të shkruarit. Unë besoj se shkrimtarët vijnë te të shkruarit përmes leximit, se të shkruarit është rezultat i procesit të përvetësimit dhe grumbullimit të një përvoje të madhe leximesh, jehonash dhe përsëritjesh të cilat krijojnë një regjistër i cili u mundëson të shkruajnë. Ky regjistër është një çështje delikate dhe e mprehtë, dhe nuk është gjithmonë një metodë që mund të përshkruhet, edhe pse kritikët letrarë janë të përkushtuar për ta bërë këtë, nuk është një program ndihmues që zhvillon një histori, por kur funksionon, është një gamë e ndërlikuar teknikash rrëfimtare të përshtatshme dhe bindëse. Nuk dua të krijoj një mister, të sugjeroj se për të shkruarit është e pamundur të flitet ose se kritika letrare është një vetëgënjim. Kritika letrare na edukon për tekstin dhe idetë që shkojnë përtej tekstit, por nuk mendoj se përmes kritikës shkrimtari e gjen atë regjistër shkrimi për të cilin po flas. Kjo vjen nga burime të tjera, në qendër të të cilave është leximi.

Arsimi shkollor që mora në Zanzibar ishte arsim kolonial britanik, edhe pse në fazat e fundit të tij ne ishim për një kohë të shkurtër një shtet i pavarur, madje edhe revolucionar. Ndoshta është e vërtetë se shumica e të rinjve marrin në shkollë njohuri që nuk kanë kuptim për ta në atë kohë, ose atë që duket institucionale dhe e parëndësishme. Mendoj se ishte ndoshta edhe më e çuditshme për ne, dhe ajo që mësuam na bëri të dukemi nxënës të rastësishëm të një lënde të paracak­tuar për dikë tjetër. Por ashtu siç ndodhi me nxënësit e tjerë, diçka e dobishme doli nga e gjithë kjo. Ajo që mësova nga ky lloj arsimimi, ndër shumë gjëra të tjera të vlefshme, ishte edhe mënyra si britanikët e shikonin botën dhe si më shikonin mua. Nuk e mësova këtë menjëherë, por me kalimin e kohës, me anë të kujtesës, dhe në dritën e mësimeve të tjera.

Por ky nuk ishte mësimi i vetëm që mora. Po mësoja nga xhamia, nga studimi i Kuranit, nga rrugët, nga shtëpia dhe nga leximi im pa kurrfarë lidhjeje. Dhe ajo që po mësoja në këto vende të tjera ishte nganjëherë krejt kundërshtuese me atë që po mësoja në shkollë. Kjo nuk ishte aq bllokuese sa mund të duket, edhe pse ndonjëherë ishte e dhimbshme dhe turpëruese. Me kalimin e kohës përballja me rrëfime të tilla kundërthënëse më është dukur një proces dinamik, edhe pse nga vetë natyra e tij është një proces i cili në fillim ndodh nga një pozitë dobësie. Prej saj doli energjia për të kundërshtuar dhe për të mos pranuar, për të mësuar të ruash ato të cilat koha dhe njohuritë i provojnë si të vërteta. Prej saj doli një mënyrë përshtatjeje duke marrë parasysh ndryshimin, dhe për ta pohuar mundësinë e mënyrave më të ndërlikuara të njohjes.

Kështu, kur fillova të shkruaj, nuk mundesha që thjesht të futesha në turmë dhe të shpresoja që me fat dhe kohë zëri im ndoshta do të dëgjohej. Më duhej të shkruaja me njohurinë tashmë që kisha se si mund të më shihnin disa nga lexuesit e mi të mundshëm gjë që duhej ta merrja parasysh. Isha i vetëdijshëm se do të përfaqësoja veten para lexuesve që ndoshta e shihnin veten si lexues standard, pa dallime kulturore dhe pa dallime etnike. Pyesja veten se sa shumë duhet të rrëfeja, sa njohuri të hamendësoja se kishin, sa i kuptueshëm do të ishte rrëfimi im nëse nuk do ta hamendësoja saktë. Pyesja veten se si t’i bëja të gjitha këto dhe të shkruaja letërsi.

Sigurisht, unë nuk isha unik në këtë përvojë, megjithëse hollësitë gjithmonë i përjeton si unike ndërsa shqetësohesh për to. Është e diskutueshme që nuk është madje as një përvojë bashkëkohore ose e veçantë në mënyrën sesi e kam përshkruar, por një karakteristikë për të gjitha shkrimet, sepse shkrimi fillon nga ky vetëperceptim i të qenit periferik dhe ndryshimi. Në këtë kuptim, pyetjet që po shtroj nuk janë pyetje të reja. Por edhe nëse nuk janë të reja, ato janë të prira fort nga e veçanta, nga imperializmi, nga shpërngulja, nga realitetet e kohëve tona. Dhe një nga realitetet e kohëve tona është shpërngulja e kaq shumë të huajve në Evropë. Këto pyetje, atëherë, nuk ishin vetëm shqetësimi im. Ndërsa unë shqetëso­hesha për to, të tjerët që ishin njësoj të huaj në Evropë në të njëjtën kohë po merreshin me probleme si këto dhe me sukses të madh. Suksesi i tyre më i madh është se ne tani kuptojmë më shumë, pasi ky rrëfim është më i kapshëm e i brishtë dhe fakti që ai udhëton dhe përkthehet, e ka bërë botën më shumë të kuptueshme, e ka bërë më të vogël.

Abdulrazak Gurnah (2004), Writing and place, Literary magazine “Wasafiri”, f. 58-60, 2004.

(Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Granit Zela)/epokaere/

RRuga PRess

YouTube player