Të rrezikshme për shëndetin/ Rreth 12 ton akullore janë konsumuar në vend
Rreth 12 ton akullore me substanca të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve janë shitur në marketet dhe dyqanet në vend.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar sot lidhur me shqetësimin ndërkombëtar të konsumimit të disa markave të akulloreve. Bëhet fjalë për akullore që sipas raportimeve, përmbajnë substanca të rrezikshme për konsumatorët. AKU saktësoi se janë me mbishkrimin “Snickers”, “Bounty” dhe “Twix”.
Sipas Autoritetit, gjatë kontrollit zyrtar të kryer në 2 subjektet të cilat kishin importuar produktet, u konstatua se nga sasia prej 35984.53 kg e importuar, u gjend gjendje e pa tregtuar sasia prej 19880.4 kg e cila u bllokua dhe asgjesua.
AKU po ashtu njofton se sasia që rezulton e shitur te konsumatorët është 11747.44 kg.
AKU informon se: “referuar informacionit të ardhur me e-mail zyrtar më datën 31.07.2021, nga sistemi RASFF i kategorisë: Alert me temë: ‘Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca’, me numër reference 2021.3976, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU me marrjen e këtij njoftimi mori masa të menjëhershme për bllokimin dhe tërheqjen nga tregu të këtij produkti. Konkretisht,, gjatë kontrollit zyrtar të kryer në 2 subjektet të cilat kishin importuar këtë produkt u konstatua se nga sasia prej 35984.53 kg e importuar, u gjend gjendje e pa tregtuar sasia prej 19880.4 kg e cila u bllokua.
“Me anë të kontrollit të sistemit të gjurmueshmërisë u evidentuan subjektet të cilat janë furnizuar me këtë produkt në të gjithë territorin e Shqipërisë. Me marrjen e këtij informacioni u morën masa të menjëhershme nga Drejtoritë Rajonale te AKU-së për bllokimin e produktit akullore me lot të specifikuar me prani te substancës së paautorizuar të dërguara nga sistemi RASFF dhe tërheqjen nga tregu me destinacion asgjësimin e saj përkatësisht. Sasia e shpërndarë në treg – 16104.13 kg. Sasia e kthyer nga tregu – 4356.69 kg. Sasia që rezulton e shitur – 11747.44 kg. Sasia prej 19880.4 kg e gjendur gjendje ne subjektet importuese dhe sasia e tërhequr nga tregu 4356.69 kg u asgjësuan”, thuhet më tej në njoftimin nga AKU.
Rruga Press