Të pandehur, diplomatë, reformatorë, të gjithë të lumtur në një tryezë
Nga Basir Çollaku
Pas Edi Ramës, i pari mes të pabarabartëve të tij, Sajmir Tahiri, Lefter Koka, Ulsi Mania, Ilir Beqja, Erion Veliaj, Damian Gjiknuri, Mimi Kodheli, Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Vangjush Dako, Olsi Rama, Olta Xhaçka, Sandër Lleshi, janë emra dosjesh, ministrash, kryebashkiakësh, drejtues kryesorë të Partisë Socialiste, oborrtarë të saj, të cilët duhet të ishin prej kohësh përballë drejtësisë, qoftë e vjetër, e re, apo e thinjur, për vepra penale të rënda, tendera, zgjatime të MAFIA-s, koncensione, pastrim të parave, keqqeverisje ekstreme, ligjshkelje ulëritëse, plaçkitje masive të pronës publike.
E gjitha kjo me adresë portofolët e qeveritarëve dhe klientëve të tyre. Tani me një drejtësi emërmadhe të re, me moshë pesëvjeçare kur kërkojmë inventarin, rezultatet, bereqetin e mbështetjes dhe investimit, dalim anemikë, shpresëhollë, me varësi të shtuar, kontroll të tepruar, pushtetarë, politikanë, zyrtarë të lartë të gjithë të pandëshkuar. Dosjet e braktisura, nga Prokuroria e Posaçme në brendi të të cilëve janë politikanë e pushtetarë sa vijnë dhe shtohen. Hetimi, gjykimi, përballja me drejtësinë sa vijnë dhe pakësohen.
Pritshmëritë e larta se SPAK do të mekeshin rrugës, për të mos na dhënë shembuj bindës. Dosjet e provës fikën motorrët. U nis me ‘184’ dhe ‘339’, krim elektoral e trafik droge, ku përmendeshin emrat nga ai i Kryeministrit Rama, ministrave Gjiknuri, Mania e Tahiri, kryebashkiakëve Dako e Ndreu, por degradoi në komedi me prangosje varrezash. Çështja e ish-ministrit Sajmir Tahiri, apo e Geron Xhafës, vëllait të ministrit pasardhës të brendshëm Fatmir Xhafaj, histori trafiqesh ndërkombëtare të narkotikëve, u shkërmoqën rrugës, duke na dhënë telenovelë procedurash. Beqja me dosje koncensionesh qindra milionë eurosh, si ish-ministër, pasuar nga Dvorani si ish-kreu i KED, Balla kreu i grupit parlamentar socialist, përmendur në dosjen e në Toyota Yaris, janë thërmimet e radhës në Prokurorinë e Posaçme, duke dëshmuar pafuqi, pamundësi, jopavarësi.
“Pak mafia italiane..”
Dy vite më parë, Luciano Nocera- i penduar i “Ndranghetës” përballë antimafias italiane tregoi edhe lidhje me politikanë shqiptarë. Camorra, Sacra Corona dhe Ndrangheta kanë terren në rritje në Shqipëri, ashtu siç kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur shefi antimafias italiane Federico Cafiero De Raho apo prokurori njohës i mafies shqiptare Nicola Gratteri dhe fillesat sipas hetuesve të vendit fqinj, është në më shumë se dy dekada, kur në Tiranë u arrestua në korrik të vitit 1998 i Xhuzepe Muolo, i njohur si “Pinuçio” e i dënuar si anëtar i “Sacra Corona Unitas”. Tre mafiozë të tjerë arrestuar në Durrës në vititn 2002, Di Tano, Sabatelli e Vinci për trafik droge, për të ardhur në vitin 2010 me Prudentinon, sekuestro biznesesh në Shqipëri, një nga kapot e Sacra Corona Unitas . Dosjen sërish të Ndrangheta në procedimin e regjistruar në SPAK, ku përmendet kontaktet me kryebashkiakun Erion Veliaj, drejtorë të tij të rëndësishëm, në bashkinë e Tiranës, drejtues të lartë në Policinë e Shtetit, investime të mundësuara për pastrime parash. Për t’u afruar në javët e fundit të vitit 2021, ku këmbëngulja gjermane imponoi nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme, për “bizneset” Call Centër mashtrimet financiare qindra milionë euroshe. Dosje në të cilat, oborri i Kryeministrit ka emrat e tij në biznesin e dominuar nga gjeorgjianë, izraelitë, lituianezë, ukrainas.
Kjo nuk është më një histori raportesh të partnerëve, sepse ata vetëm nxijnë të dhënat. E keqja ka marrë përpara institucionet dhe kjo ndodh kur ortakëria është me pushtetin, qeverinë, politikën, drejtësinë. Dy ditë më herët Ambasadorja e SHBA në Tiranë zonja Yuri Kim në një takim ku ndodhej dhe zoti Soreca dhe qeveritarë, ndër të tjera duke marrë referencë raportet e partnerëve, tha se “Shqipëria është një pikë kyçe e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar.Trafikimi mund të ndodhë vetëm me ndihmën e aktorëve shtetërorë, agjentë kufitarë dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë…” Kryediplomatja theksoi se krimi organizuar dhe korrupsioni kërcënojnë shtetin ligjor, shtet që realisht tek ne është fantazmë në duar bandash. Në kulmin e karshillëkut Rama dhe ministri i tij kishin gjetur me vend të shpallnin emërimin e ministrit dosjeshumë Ilir Beqja si drejtues të agjencisë së menaxhimit të financimeve të huaja. Qeveritë partner do financojnë edhe SPAK për të hetuar ministrat ku bëjnë pjesë emrat e mësipërm, edhe do japin para për të investuar, financime që do menaxhohen nga të pandehurit qeveritarë. Kjo lumturi qeveritare, diplomatike, të pandehurish, e gjitha në një tryezë, është tregues se kapja e shtetit fliste e dëshmonte përballë diplomatëve, pa pasur asnjë siklet se financimi kryesor ai në drejtësi, do të kishte takat të do të kontrollonte atë të dytë në qeveri. Mafia ia ka dalë në Shqipëri falë kontributit qeveritar e kryeminisitror të ketë përfaqësues kudo, madje dhe në takime reformash.
RrugaPress