Lajme

Të mbyllur dhe pa internet, shqiptari rrëfen situatën në Kazakistan

Me të përfunduar një ditë normale pune, Kastrioti (identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë), një shqiptar i Kosovës që po qëndron në Kazakistan, iu desh të mbyllej në banesë.

I shqetësuar dhe pa shumë informacione, ky i ri në të 20-at po pret të shohë se çfarë do të ndodhë me trazirat e protestave që kanë kapluar këtë vend.

Kastrioti, që foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimitet, nisi të punonte në shtetin e Azisë Qendrore, më 2021, përmes kompanisë Mabetex Group, në pronësi të Behgjet Pacollit, ish-president i Kosovës.

Një valë e protestave masive ka nisur në Kazakistan tash e katër ditë për shkak të rritjes së papritur të çmimit të gazit të lëngshëm, i cili përdoret për makina në shtetin e pasur me naftë.

Kastrioti, së bashku me punëtorë të tjerë kosovarë, po jeton në kryeqytetin Nur Sulltan.

Ai thotë se gjendja momentale atje është më e qetë në krahasim me qytetet e tjera si Almati, por sipas urdhrit të autoriteteve, janë të mbyllur në banesë.

“Na kanë mbyllur, nuk mund të dalim. As te dera e as në shitore nuk mund të dalim”, tregon ai për Radion Evropa e Lirë.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Megjithatë, protestë e madhe është paralajmëruar edhe në vendin ku ai momentalisht po qëndron.

“Normalisht që po frikësohemi sepse ne këtu nuk kemi as Ambasadë. Sot (kompania) na i kanë sjellë pasaportat dhe nuk na kanë dhënë ndonjë lajm se çfarë do të bëjmë, vetëm na kanë thënë ‘nesër e keni pushim’”, tregon ai.

Një ndërprerje masive e internetit dhe valëve telefonike në shtet ka shtuar shqetësimin për këta kosovarë.

“Familjarët janë shqetësuar se dy ditë nuk kemi pasur internet, sepse e ka ndalur Kazakistani, do të thotë nuk kemi pasur si t’i lajmërojmë”, thotë ai. Interneti ndërkohë më 6 janar është rikthyer.

Kazakistani po përjeton protestat më të këqija në rrugë që vendi ka parë që nga fitimi i pavarësisë tri dekada më parë.

Shpërthimi i destabilitetit po shkakton shqetësim të madh në dy fqinjët e fuqishëm të Kazakistanit: Rusinë dhe Kinën. Vendi shet shumicën e eksporteve të naftës në Kinë dhe është një aleat kryesor strategjik i Moskës.

Një rritje e papritur e çmimit të karburantit të makinave në fillim të vitit shkaktoi protestat e para në një qytet të largët nafte në perëndim. Por, dhjetëra mijëra protestues që kanë dalë që atëherë në rrugë në shumë qytete, tani kanë në sy të gjithë qeverinë autoritare.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev fillimisht kërkoi të qetësonte turmat duke shkarkuar të gjithë qeverinë herët të mërkurën (5 janar).

Por, në fund të ditës ai kishte ndryshuar qëndrim. Së pari, ai i përshkroi demonstruesit si terroristë. Pastaj ai i bëri thirrje një aleance ushtarake të udhëhequr nga Rusia, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, për ndihmë në shtypjen e kryengritjes dhe CSTO ra dakord të dërgonte një numër të pacaktuar paqeruajtësish.

Policia e Kazakistanit ka thënë se disa protestues janë “eliminuar” gjatë natës në qytetin më të madh të shtetit, Almati, kur ata kanë tentuar të hyjnë nëpër ndërtesa administrative, ndërkohë janë përshkallëzuar trazirat kombëtare.

Nga pesë republikat e Azisë Qendrore që fituan pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është deri tani më i madhi dhe më i pasuri. Ai shtrihet në një territor me madhësinë e Evropës Perëndimore dhe ndodhet në majë të rezervave kolosale të naftës, gazit natyror, uraniumit dhe metaleve të çmuara. /REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *