Bota

Të justifikosh Rusinë: Polonia thirrje Ukrainës të njohë genocidin

Presidenti polak Andrzej Duda i ka bërë thirrje Ukrainës që të pranojë atë që ai e quan “të vërtetën e turpshme për masakrën nga nacionalistët ukrainas” ndaj më shumë se 100,000 polakëve në Luftën e Dytë Botërore, pavarësisht se Kievi dhe Varshava tani janë bashkuar kundër Rusisë, raporton Reuters.

Duda e bëri këtë deklaratë me rastin e 79-vjetorit të krimit të vitit 1943 në Volhynia, një pjesë e Polonisë e pushtuar nga nazistët, një kujtim i marrëdhënieve komplekse historike midis Polonisë dhe Ukrainës, por edhe në një kohë kur dy vendet fqinje janë afruar më shumë nga pushtimi rus i Ukrainës.

Polonia hapi dyert për refugjatët ukrainas dhe Duda lejoi që vendi i tij të ishte një qendër logjistike për furnizimin e Ukrainës, e cila po bën një luftë rraskapitëse kundër Rusisë.

Por në një përkujtimore në Varshavë të hënën, Duda tha se e vërteta rreth krimeve të luftës në Galicinë lindore duhet “të flitet me zë të lartë dhe qartë” dhe i bëri thirrje Kievit të njohë spastrimin etnik të polakëve të kryer nga paraushtarakët nacionalistë ukrainas.

Lexo më shumë  Ukraina ka rrëzuar 69 dronë e dy raketa nga sulmi rus

“Nuk bëhet fjalë për hakmarrje. Koha në të cilën jetojmë e dëshmon më së miri”, tha Duda duke iu referuar bashkëpunimit mes dy vendeve kundër Rusisë.

 Një çeshtje e vështirë për ukrainasit

Është një çështje e vështirë për ukrainasit, shtoi ai, sepse disa i konsideruan ata paraushtarakë heronj për rezistencën e tyre ndaj Bashkimit Sovjetik dhe një simbol të luftës për pavarësi nga Moska.

“Ata që ne i konsiderojmë vrasës ishin në të njëjtën kohë heronj për Ukrainën, në një kohë të ndryshme dhe me një armik tjetër, dhe ata shpesh vdiqën nga duart e sovjetikëve, duke luftuar plot besim për një Ukrainë të pavarur dhe të lirë”, tha Duda.

Lexo më shumë  Finlanda do të vendosë bazën e NATO-s pranë kufirit me Rusinë

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kievi për këto deklarata, por ato do të perceptohen në disa qarqe ukrainase si pjesë e fushatës ruse për të portretizuar Ukrainën si një vend që duhet të denazizohet, një nga qëllimet e asaj që Rusia e quan një “operacion special ushtarak”.

Parlamenti polak arriti në përfundimin se vrasjet, të cilat u kryen nga viti 1943 deri në vitin 1945 nga Ushtria kryengritëse e Ukrainës dhe Organizata e Nacionalistëve ukrainas nën udhëheqjen e Stepan Bandera-s, kishin elemente gjenocidi.

Ukraina nuk i ka pranuar këto vlerësime dhe shpesh i referohet ngjarjeve në Volhynia si një episod në konfliktin midis Polonisë dhe Ukrainës që preku të dy kombet.

Historianët polakë pohojnë gjithashtu se polakët vranë deri në 12,000 ukrainas në operacione hakmarrjeje.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *