Të infektuarit me HIV/AIDS ndihen të braktisur për shkak të COVID-19
1 Dhjetori shënon ditën Botërore kundër Hiv/Aids.
E ndërsa bota vazhdon të luftojë pandeminë COVID-19 dhe kur sistemet shëndetësore përballen me flukset e reja të të infektuarve, njerëzit që vuajnë nga sëmundje të tjera thonë se ndihen të braktisur.
Në Republikën Demokratike të Kongos, burimet janë ri-shpërndarë dhe ata që jetojnë me HIV dhe Sidën ankohen se janë të privuar nga aksesi i tyre në kujdesin shëndetësor.
Jean Louis dhe gruaja e tij Odette janë të dy pozitivë me Hiv.
“Më parë, ne kishim racione ushqimore, çka nuk e kemi më, kjo është e gjitha në të kaluarën. Kujdesi mjekësor, financimi në sektorin e HIV-it, gjithçka nuk ekziston më”, u shpreh Jean Louis Toye Kopema.
Një raport i fundit i UNAIDS-it vuri në dukje se bllokimet e COVID-19 dhe kufizimet e tjera kanë ndërprerë testimin e HIV-it në të gjithë botën. Në shumë vende, kjo ka çuar në rënie të ndjeshme të diagnozave të HIV-it, referimeve në shërbimet e kujdesit dhe fillimit të trajtimit ndaj HIV-it.
“Për sa i përket furnizimit, ne varemi shumë nga ilaçet që vijnë nga jashtë. Duhet të vazhdojmë të kërkojmë që të mos kemi ndërprerje në furnizim. Dhe, sipas të dhënave , me ardhjen e COVID dhe Ebola, financimi është tkurrur”, u shpreh Munsana Gashinge, koordinator rajonal i programit kombëtar për HIV/AIDS.
Gjithnjë e më shumë kërkohet më shumë angazhim dhe burime për t’i dhënë fund epidemisë së SIDA-s në Republikën Demokratike të Kongos deri në vitin 2030. Të dy pacientët dhe kujdestarët e dinë se pa mbështetjen ndërkombëtare ata kurrë nuk do të ecin përpara dhe nuk do t’i japin fund epidemisë së AIDS-it.
Rruga Press