Të enjten pritet të fillojë intervistimi i kandidatëve për bord të RTK-së
Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të bordit të RTK-së, ka njoftuar se intervistimi i kandidatëve pritet që të fillojë të enjten.
“Nëse nuk ka seancë kuvendi, intervistimi do të fillojë më 11 nëntor, të enjten nga ora 9:00 deri në 16:00, por në rast se ka seancë plenare atëherë intervistimi do të fillojë të premten”, ka njoftuar kryesuesi i këtij Komisioni, Armend Zemaj.
Gjithashtu, komisioni vendosi që dy kandidatëve, Ejup Gonjovci dhe Albana Krasniqi, të cilët në mbledhjen e kaluar ishin eliminuar nga gara, t’iu jepet edhe një mundësi që deri në intervistim të sjellin certifikatën e lindjes më të re se 6 muaj, në mënyrë që të jenë pjesë e garës. Të dy janë eliminuar për shkak se kishin dorëzuar certifikatën e lindjes me afat të skaduar.
Bordi i RTK-së u shkarkua më 8 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës. Shkarkimi i këtij bordi ngjalli shumë reagime. Opozita kundërshtoi fort ndërsa deputetët e pozitës dhanë arsyet e shkarkimit.
Komisioni ad-hoc për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës kanë eliminuar nga gara rreth 30 kandidatë nga 127 sa kishin aplikuar për shkak se të njëjtit nuk i kanë plotësuar kriteret e aplikimit.
KALLXO.com përmes qasjes në dokumente publike në Kuvendin e Kosovës kishte siguruar listën me 127 aplikues për anëtarë të Bordit të RTK-së.
Rruga Press