Lajme

“Tavani” për interesat e kredive të vogla i lartë, 175% deri në nëntor

Arsyeja kryesore pse NEI për kreditë deri në 200 mijë lekë rezulton në vlera mesatare të larta është sepse shumica dërrmuese e kredive të këtyre përmasave jepen nga institucionet financiare të mikrokredisë.

Më datë 31 dhjetor 2021 hyri në fuqi aplikimi i normave maksimale efektive interesi (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në Shqipëri.

Megjithëse rregullorja hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar, NEI-t maksimal pritet të publikohen vetëm në muajin janar. Vonesa në kohë do të ndodhë sepse për çdo gjashtëmujor NEI maksimal bazohet në kreditë e dhënë në gjashtëmujorin paraardhës dhe në llogaritjen e treguesit për gjysmën e dytë të vitit 2021 duhet të përfshihet edhe muaji dhjetor.

Megjithëse NEI-t maksimalë ende nuk janë publikuar, sipas informacioneve të Monitor, ato priten të rezultojnë mjaft të larta, sidomos për kreditë e vogla me këste, deri në shumën 200 mijë lekë. Mbështetur në të dhënat e kredive të dhëna për periudhën korrik-nëntor 2021, NEI mesatar i kredive deri në 200 mijë lekë të dhëna në monedhën vendase rezulton rreth 131.4%. Sipas rregullores, NEI maksimal përcaktohet duke e rritur interesin mesatar me një të tretën. Kjo e çon NEI-n maksimal për kreditë e vogla afërsisht në nivelin 175%.

Arsyeja kryesore pse NEI për kreditë deri në 200 mijë lekë rezulton në vlera mesatare të larta është sepse shumica dërrmuese e kredive të këtyre përmasave jepen nga institucionet financiare të mikrokredisë. Për shkak të modelit të tyre të biznesit, me kredi të dhëna në shuma të vogla, kosto të larta për njësi dhe rrezik të lartë, këto institucione aplikojnë normë efektive të larta në huadhënie.

Lexo më shumë  Serbët punojnë me çdo lloj mjeti për të fabrikuar legjendat, të cilat bota i lexon në formë të kurioziteteve

Treguesi final zyrtar do të duhet të përfshijë edhe të dhënat e dhjetorit, megjithatë tashmë është e qartë se NEI maksimal për mikrokreditë konsumatore do të rezultojë pranë niveleve të mësipërme. Në teori, institucionet financiare madje mund të kenë interes që ta rrisin NEI-n e kredive të dhëna gjatë dhjetorit, me qëllim për të siguruar një tavan më të lartë për 6-mujorin e parë 2022.

Një normë tavan interesi në kufijtë e 170% në pamje të parë është shumë e lartë, megjithatë ajo do të japë efektet e veta në treg. Aktualisht, në tregun e mikrofinancës ka kredi ku NEI kalon edhe nivelin e 250%, nivel që arrihet zakonisht për shumat më të vogla dhe afatet më shkurtra të shlyerjes. Me vendosjen e NEI-t maksimal, qoftë edhe në nivelin 170%, interesa të tilla efektive nuk do të mund të aplikohen më. Kjo mund të ndikojë në uljen e përfitueshmërisë së institucioneve të mikrofinancës, por ndoshta edhe do të sjellë ndryshme në strukturën e produkteve. Institucionet financiare mund të orientohen drejt rritjes së shumës minimale të huasë dhe zgjatjes së maturitetit, me qëllim zbutjen e normës efektive të interesit.

Për kreditë konsumatore në vlera më të mëdha, në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, interesi tavan deri tani rezulton në nivele ndjeshëm më të ulëta. I llogaritur mbi kreditë e dhëna për periudhën korrik-nëntor 2021, NEI maksimal rezulton 38%. Diferenca ndodh për dy arsye kryesore. Së pari, me rritjen e shumës së kredisë norma efektive e interesit ulet ndjeshëm dhe kjo vlen për të gjithë huadhënësit. Së dyti, në kreditë mbi 200 mijë lekë ka një peshë më të lartë të bankave tregtare, që përgjithësisht kreditojnë me norma më të ulëta interesi. Për bankat, një interes tavan 38% nuk krijon probleme, sepse kreditë e tyre konsumatore janë larg këtyre niveleve. Për institucionet e mikrofinancës një tavan i tillë do të krijojë vështirësi, sepse ato kanë kosto më të larta të produktit në të gjithë elementët kryesore, përfshi koston e sigurimit të fondeve, kosto mesatare për njësi (kredi), si edhe kosto më të larta rreziku (më shumë kredi me probleme). Një NEI maksimal prej 38% do ta bëjë më të vështirë që këto institucione të konkurrojnë me kreditë që tejkalojnë vlerën e 200 mijë lekëve.

Lexo më shumë  Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit mbetet rrezik për Kosovën

Aplikimi i NEI-t maksimal do të prekë edhe dy produkte që ofrohen ekskluzivisht nga bankat, kreditë kufi (overdraftet) dhe karta e kreditit. Mbështetur në të dhënat e periudhës korrik-nëntor 2021, NEI maksimal për overdraftet do të rezultonte rreth 19.8%, ndërsa për kartat e kreditit rreth 27%./MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *