Tarifat e Trumpit/ Rama i vetmi lider që thotë se “Nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria nuk ka pse të shqetësohet për luftën tregtare që ka nisur Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, praktikisht me gjithë botën, përfshi edhe vendin tonë.
“Nuk kemi asnjë shqetësim lidhur me atë temë. Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat, është shumë e thjeshtë dhe komode për vetë pozicionin tonë dhe volumin e tregtisë që kemi me SHBA. Dhe në rast se i referoheni edhe tabelës së tarifave të shpallura, ne nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim”, tha Rama duke folur në një konferencë për mediat në Tiranë bashkë me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Kaja Kallas.
Kur gjithë Evropa dhe shtete e tjera jashtë saj, kanë dalë kundër këtyre tarifave, Edi Rama, Kryeministri i një vendi me ekonomi shumë të dobët, nuk ka asnjë shqetësim për këto tarifa. Kryeministri Edi Rama duhet të kujtohet se këto tarifa prekin popullin, bizneset dhe nuk bëhet fjalë për xhepin e tij personal, sepse për atë nuk ka dyshim askush që nuk ka pse të shqetësohet.
Sipas shifrave të publikuara nga administrata amerikane, SHBA ka vendosur një tarifë 10% ndaj produkteve shqiptare, një shifër shumë më e ulët se pjesa kryesore e vendeve të rajonit. Edhe ndaj Kosovës është vendosur një tarifë e njëjtë, ndërsa ndaj Serbisë shifra shkon në 37%.
Rruga Press