Bota

Talibanët mbyllin mediat e pavarura në Afganistan

Skena lulëzuese mediatike në Afganistan, është konsideruar si një prej arritjeve më të mëdha në 20 vjetët e fundit, që prej se talibanët u rrëzuan nga pushteti më 2001.

Por, rikthimi i shpejt i talibanëve është duke u ndryshuar situatën, pasi ka filluar shtypja e lirisë së medias, në territoret që ky grup militant ka marrë nga forcat qeveritare në këto muajt e fundit.

Grupi militant ka mbyllur me forcë dhjetëra stacione lokale të radios, gazeta e televizione në qarqet që ka marrë nën kontroll, që prej se forcat e huaja ushtarake, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, nisën tërheqjen nga Afganistani më 1 maj.

Organizatat e tjera mediatike janë mbyllur nga frika e hakmarrjes së talibanëve dhe shumë gazetarë janë larguar nga shtëpitë e tyre ose po fshihen. Talibanët janë fajësuar për vrasjen e dhjetëra gazetarëve dhe punëtorëve të mediave në vitet e fundit.

Disa media, që janë lejuar të operojnë, janë detyruar që të transmetojnë propagandë të talibanëve. Këtyre mediave u është ndaluar të transmetojnë muzikë apo zërat e grave. Lajmet janë zëvendësuar me buletinet e miratuara nga talibanët, recitimet nga Kurani dhe predikimet islame.

“Të detyruar për të punuar për talibanët”

Radio Nawbahar Balkh, media komerciale me seli në Balkh, qark në provincën me të njëjtin emër, u mbyll muajin e kaluar, kur talibanët morën nën kontroll këtë zonë në veri të Afganistanit.

Shumica prej 18 punëtorëve të kësaj radioje, përfshirë edhe katër gra, u larguan ose u fshehën. Vetëm dy teknikë nuk ikën.

Brenda ditësh, kjo radio rinisi transmetimin. Por, kësaj radhe, ajo u mor nën udhëheqjen e talibanëve.

“Ata që qëndruan u detyruan të punojnë dhe të transmetojnë informacione për talibanët”, tha një ish-punëtor i kësaj radioje, që u largua në Mazar-eSharif, kryeqytetin e provincës.

Ish-punëtorët, të cilët folën në kushte anonimiteti për Radion Evropa e Lirë, thanë se kjo radio është shndërruar në një zëdhënëse të talibanëve.

“Talibanët e përdorin këtë radio për të shpërndarë propagandë kundër qeverisë”, tha një ish-punëtor. “Ata po ashtu transmetojnë predikime fetare. Muzika dhe emisionet argëtuese janë ndaluar”.

Në zonat e tjera, që janë marrë nën kontroll, talibanët kanë lejuar që të punojnë radio stacionet, por kanë vendosur kufizime mbi përmbajtjen që mund të transmetojnë.

Radio Sedaye Kokcha, një radio private në qarkun Jurm në provincën Badakshan, u ndalua që të transmetojë disa prej programeve të saj. Kryengritësit gjithashtu nuk kanë lejuar gratë që të punojnë.

Lexo më shumë  Rutte kërkon ndryshimin e trajektores së luftës në Ukrainë

“Ne aktualisht po transmetojmë programe për agrikulturë, shëndetësi dhe letërsi, por ne kemi censuruar programet muzikore”, tha Nasir Ahmad Akhgar, drejtor i kësaj radioje.

“Tani, vetëm burrat po punojnë në radio”, shtoi ai.

Të plaçkitur dhe të shkatërruar

Në shtatë vjetët e fundit, Radio Dehrawud ka transmetuar lajme dhe programe për çështje aktuale, por edhe për kulturë e programe argëtuese.

Por, kur muajin e kaluar militantët talibanë morën nën kontroll qarkun Dehrawud, në provincën jugore Uruzgan, kjo radio u mbyll.

“Fillimisht, talibanët nuk na lanë që të hyjmë në ndërtesën e radios”, tha Mohammad Omar Waziri, drejtor i Radio Dehrawud, i cili që atëherë u largua nga qarku.

“Më pas pajisjet u plaçkitën. Disa ditë më vonë radioja u shkatërrua”, tregoi ai.

Talibanët pretendojnë se kjo radio ishte plaçkitur para se grupi militant të merrte nën kontroll qarkun. Por, grupi për të drejtat e mediave, NAI ka kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se talibanët plaçkitën dhe shkatërruan këtë radio pasi morën nën kontroll qarkun Dehrawud.

Ehsanullah Wolesmal, menaxher i radios private në Tirin Kot, që gjendet në kryeqytetin e Uruzganit, tha se mediat kanë frikë se talibanët do ta marrin nën kontroll qytetin.

“Mediat në Tarin Kot do të shkatërrohen kur të vijnë talibanët”, tha ai. “Ne u bëjmë thirrje talibanëve të kuptojnë se radio stacionet private dhe lokale janë neutrale dhe nuk duhet të trajtohen në këtë mënyrë”, shtoi ai.

Në zonat që kanë nën kontroll, talibanët gjithashtu kanë ndaluar përdorimin e telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale, për të parandaluar që njerëzit të kenë qasje në informacione të pavarura.

Disa afganë thonë se janë rrahur nga talibanët pasi kanë postuar komente kritike në rrjetin social Facebook. Anëtarët e grupeve të shoqërisë civile, në zonat e kontrolluara nga talibanët, janë kërcënuar dhe arrestuar.

Talibanët po ashtu kanë vrarë dhjetëra gazetarë dhe kanë shënjestruar dhjetëra media të pavarura që kanë raportuar në mënyrë kritike për ta. Të paktën 12 gazetarë afganë dhe punëtorë të mediave janë vrarë gjatë këtij viti, ku për vrasjen e shumicës së tyre janë fajësuar militantët talibanë.

Në maj, talibanët akuzuan mediat e pavarura për “propagandë të njëanshme” dhe kërcënuan gazetarët se do të kenë “pasoja”.

Disa media të mbyllura

Të paktën 35 media janë mbyllur që prej se talibanët nisën ofensivën e tyre ushtarake më 1 maj, ka thënë Ministria e Informacionit dhe Kulturës e Afganistanit. Ende nuk është e qartë se sa media janë mbyllur vetë ose janë detyruar nga talibanët që të mbyllen.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Gjashtë media të tjera private janë marrë nën kontrollin e talibanëve, tha ministria më 3 gusht.

Grupi NAI tha se të dhënat tregojnë se 51 media janë mbyllur që prej muajit prill: 44 radio stacione, pesë televizione, një qendër mediale dhe një agjenci e lajmeve.

Shumica e mediave të mbyllura ishin në provincat që kanë qenë cak i sulmeve të talibanëve, përfshirë edhe provincat jugore Kandahar dhe Helmand, por edhe në provincat veriore si Badakhshan, Takhar, Baghlan, Samangan, Balkh, Sar-e Pul, Jawzjan, Faryab, dhe Badghis.

Mbi 1.000 gazetarë dhe punonjës të mediave, përfshirë 150 gra, kanë humbur vendet e punës që prej prillit, ka thënë grupi NAI.

Që prej pushtimit më 2001, të udhëhequr nga SHBA-ja, që çoi në largimin nga pushteti të talibanëve, pas pesë vjet udhëheqjeje, skena mediale në Afganistan ka lulëzuar.

Afganistani tani vlerësohet se ka 170 radio, mbi 100 gazeta dhe dhjetëra stacione televizive.

Nën regjimin e talibanëve kishte vetëm një radio shtetërore, Zëri i Sheriatit të Talibanëve, ku kryesisht transmetoheshin lutjet dhe mësime fetare.

Talibanët rivendosin ligjet shtypëse

Shtypja e lirisë së medias nga talibanët vjen në kohën kur grupi ekstremist po rivendos shumë prej ligjeve shtypëse dhe po rikthen politikat që kishte pasur gjatë regjimit më 1996-2001.

Në kohën kur e kontrollonin Afganistanin, talibanët kishin detyruar gratë që të mbuloheshin, ua ndaluan atyre që të punojnë jashtë shtëpive të tyre, e kishin kufizuar edukimin e vajzave dhe u kishin kërkuar grave që të ishin të shoqëruara nga të afërmit burra nëse dilnin nga shtëpitë e tyre.

Dy gra afgane të veshura me burka duke kaluar pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Kabul, 28 shtator, 1996.
Dy gra afgane të veshura me burka duke kaluar pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Kabul, 28 shtator, 1996.

Ndërkaq, burrave iu ishte ndaluar që të rruanin mjekrat. Ata po ashtu ishin detyruar që të luteshin pesë herë në ditë. Ndërkaq, dëgjimi i muzikës dhe shikimi i televizorit u bë i jashtëligjshëm.

Shumica e këtyre politikave tashmë janë rikthyer në zonat që tashmë janë nën kontrollin e talibanëve, thonë banorët. Kjo po ndodh pavarësisht pretendimeve të vazhdueshme të talibanëve se ky grup ka ndryshuar dhe se nuk do të risjellë strukturat shtypëse.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Marrë nga /rel/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *