Takimi Makron-Putin, një skandal diplomatik i paprecedentë në nivelet e larta të gjeopolitikës
Imazhet e publikuara rishtazi nga takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij francez, Emanuel Makron, tregojnë dy udhëhqësit të ulur në skajet e kundërta të një tavoline të gjatë ovale në një dhomë të dekoruar me zbukurime në Kremlin.
Macroni udhëtoi në Moskë në një përpjekje për të mbajtur gjallë shpresën për një zgjidhje të përplasjes midis Rusisë dhe Perëndimit mbi Ukrainën. Më vonë gjatë ditës kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me Presidentin Biden në Uashington.
“Dialogu është i nevojshëm, sepse kjo është e vetmja gjë që do të ndihmojë, sipas pikëpamjeve të mia, për të ndërtuar një kontekst sigurie dhe stabiliteti në kontinentin evropian”, tha Macron pas takimit, në të cilin ai kërkoi de-përshkallëzim.
Putini falënderoi Makronin për vizitën, duke thënë se: “Unë shoh se sa përpjekje po bën udhëheqja aktuale e Francës dhe presidenti për të zgjidhur krizën që lidhet me sigurinë në Evropë për një perspektivë serioze historike”.
Por takimi Putin-Makron mund ta ketë përkeqësuar edhe më tej situatën. Sipas disa burimeve franceze thuhet se Makroni është ndjerë shumë i fyer nga qasja që Putini ka patur në këtë takim.
Kur Makroni u fut në sallë gjeti Putinin shumë metra larg tij dhe një tavolinë disa metra të gjatë. Në një takim normal do të kishte shtrëngime duarsh nga afër dhe fotografi që do shkrepnin në momentin e këtij takimi. Por përveç se kjo nuk ndodhi, Makroni që kishte ngelur me dorën në xhep “u urdhërua” nga Putini që të ulej te tavolina qesharake disa-metroshe.
Takimi vazhdoi me Putinin që i anuar përpara donte të tregonte se kush ishte “shefi” dhe kush i vendoste rregullat e lojës, e me një Makroni që qëndron i palëvizur e që i hedh shikim të ftohtë homologut përballë.
E njëjta skemë u përsërit edhe në konferencën për shtyp, me distancë të largët deri në nivelet e qesharakes. Në fund të konferencës Putini u nis i pari drejt daljes, kurse shumë metra mbas tij Makroni i sikletosur që po shihte homologun e tij rus që ia kishte kthyer shpinën, e të cilin domosdoshmërisht duhet ta ndiqte.
Mesazhi ishte shumë i qartë: Putini largohet nga konferenca për shtyp duke i kthyer shpinën Makronit për t’i treguar se nuk është aspak i mirëpritur dhe se Franca duhet të zgjedhë që të jetë ose shtet i nënrenditur në interesat gjeopolitike ruse ose shtet armik i Rusisë.
Ky takim që prej Makronit u pa me rëndësi të veçantë si për fatin e Ukrainës, por edhe për figurën e tij publike që merr pjesë në zgjedhjet e afërta në Francë, u shndërrua në një takim gati qesharak, ku krejt çka Putini kishte ndër mend ishte “turpërimi” i Makronit dhe tregim i dominancës në raport me udhëheqësinë politike evropiane në përgjithësi.
Ka mundësi që ky takim të jetë më skandalozi i niveleve të larta diplomatike dhe gjeopolitike për dekada të tëra dhe vështirë se pas kësaj shfaqjeje të shëmtuar diplomacisë i ngelet shumë për të thënë dhe bërë.
Shpresojmë që Makroni dhe Franca tashmë e kanë edhe më të qartë se me çfarë kanë të bëjnë kur vjen puna te Putini dhe Rusia, dhe se qasja tolerante ndaj Rusisë ndër vite nuk e ka bërë Putinin më pak të etur, por edhe më ambicioz në lidhje me ekspansionizmin gjeopolitik dhe territorial.
Ndërkohë, takimi Makron-Putin është bërë objekt i memeve qesharake në nivel global.
©Rruga Press