EditorialKryesore

Takimet Vuçiq-Rama në kontekstin e ri botëror si tregues dobësie

Nga Roland Amzai

Takime bilaterale, trilaterale dhe multiraterale, sa kokë më kokë, aq edhe virtualisht, sa me ndërmjetës aq edhe me video konferenca.

Numërohet të paktën 19 të tilla- po flasim për takimet e kryeministrit Rama me presidentin serb Vuçiq ( Po aq takime sa ka mes Vuçiqit dhe Putinit).

Që nga takimi i dhjetorit të 2014-ës në Beograd janë të shumta takimet e tjera, si në samitet për ballkanin perëndimor, samitet ekonomike, takimet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, takime trilaterale “Minishengen”-iste dhe takime trilaterale “Open Balkan”-iste krejt në fund.

Këtu nuk llogariten ndejat private pas takimeve zyrtare si ajo e Beogradit pas konferencës për shtyp dhe takimeve me gazetarët e biznesmenë, dhe as deklaratat e përbashkëta siç ishte ajo në rastin e 80 vjetorit të lindjes së Bekim Fehmiut.

Protokollet që nxjerrin Vuçiqin sivëlla të Putinit

Nëse futesh në historikun e takimeve të Vuçiqit nuk ka si të mos vesh re ngjajshmërinë putiniste në protokollin e vizitave zyrtare.

Vuçiqi është protagonist në takimet multilaterale edhe si kryeministër (pra para vitit 2017) edhe si president, ndryshe nga shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor.

Pra, në pothuajse të gjitha takimet, Vuçiqi është aty, si objektiv kamerash, por edhe si politikë autentike serbe.

Nëse është Nikoliçi dje si president, apo Bernabiçi si kryeministre sot, Vuçiqi ka qenë prezent si zë kryesor i qëndrimit serb në takimet multilaterale në të dyja pozicionet.

Lexo më shumë  Rrëfimi i dy paraguajanëve që mahniten me sakrificën e familjes Jashari kur vizitojnë Prekazin

Nga kjo pikëpamje ai ngjan fill e për pe me Putinin, duke ditur rolin e tij në vendimmarrjen e Federatës Ruse qoftë si kryeministër e qoftë si president, aq sa sot nuk e ka problem ta ndërrojë kushtetutën për zgjatjen e mandateve.

Ngjajshmëria nga e kaluara

Ngjajshmëria tjetër konsiston tek e shkuara e tij, e Vuçiqit përkatësisht Putinit.

Putini vjen nga e kaluara si agjent i KGB-së dhe administrator i Yeltsinit në vitin 1996, kurse Vuçiqi si pioner i Sheshelit dhe Ministër i Propagandës në kohën më famëkeqe të Millosheviqit, 1998-2000.

Rama në dy akte

Akti i parë ishte përgatitja e BE-së për takimin e tetorit të 2014-ës në Beograd. I pari i llojit të vet pas dekadave të tëra moskomunikimi.

Shumëkush mendon se ky takim u gatua në gusht në samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

Rama sapo kishte ardhur në pushtet dhe me legjitimitet të plotë tha se “Kosova është pavarur” e mediat i bënë bujë kësaj deklarate.

Nga takimi i dhjetorit të 2014-ës në takimin e majit të 2015-ës në Tiranë takimet u shpeshtuan si numër, por u rraluan në mesazhe.

Nga “Kosova është e pavarur” në Beograd , sot marrëdhënia intrapersonale Rama-Vuçiq po përfundon tek “Open Balkan” pa mishin e huaj*, Kosovën pra.

Konteksti Kosovë-Serbi

Qeveritë në Kosovë kanë ndryshuar disa herë, Vuçiqi dhe Rama janë aty, jo vetëm fizikisht.

Presioni i Ramës ndaj Haradinajt kundër “Taksës” ishte po aq brutal në Berlin sa ç’është sot injorimi i Kosovës dhe Albin Kurtit në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.

Lexo më shumë  Kurti kërkon t’i ndërpriten ndihmat Serbisë dhe kthim të zonës së sigurisë kufitare prej 5 kilometrave

Zbrapsja e Ramës ndodhi për një moment të vetëm, tek rasti “Targat”, kur Serbia rreshtoi regjimentet ushtarake në kufi me Kosovën, ku edhe në këtë rast armën e vetme që përdori ky i fundit ishte cinizmi.

“Vuçiqi nuk duhet të luajë luftash”- e tha kryeministri Rama këtë togfjalësh në Proshtinë, a thua se helikopterët rusë në kufi, Bërniak e Jarinjë të ishin hekurishta.

Pas kësaj takimet vazhduan me sebepin e ri, nga “Minishengeni” tek “Open Balkan”.

Ka edhe një cilësi tjetër që Ramën e bën të duket irrelevant në Ballkan, kurse Vuçiqin si të keqen e domosdoshme e kjo është opozita në vendet përkatëse.

Në Serbi sot, opozita kërkon me ngulm që Kosova të bëhet prioritet numër 1 në agjendë, kurse në Shqipëri opozita është e rrënuar në ide dhe veprim.

Kështu, Vuçiqi duket i moderuar për evropianët, ashtu si Millosheviqi dikur me Sheshelin si opozicion, kurse Rama i parëndësishëm, sepse e ka bërë zap çdo potencial “destabilizues” intra dhe ndërshqiptar ndaj mjedisit ballkanik.

Ligjërimi i Ramës ngjan fatkeqësisht me ligjërimet e vogla ku Kosova shihet si pengesë për përparimin e Shqipërisë.

Shumë shpejt, Rama do e kuptojë se më shqiptar politik po sillet Gjukanoviçi duke refuzuar “Open Balkanin” dhe zgjedhjet serbe në Mal të Zi, se sa Rama vetë, promotori i supozuar i panshqiptarizmit, që nuk e hapi gojën për zgjedhjet serbe në Kosovë, e nuk inicoi kurrë rezolutë në kuvend kundër krimeve serbe në Kosovë.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *