Ta gëzoni bustin e Micotaqisit!
Shkruan Alket Veliu
Sot u fut “kontrabandë” në Derviçian busti i antishqiptarit Konstandin Micotaqis, i cili në vitin 1992 u hoqi të drejtën çamëve për t’u kthyer në trojet stërgjyshore.
Mjafton të sjellim në vëmendje konferencën e shtypit mes ish- kryeministrit Aleksandër Meksi dhe homologut të tij Konstatin Micotaqis, më 3 maj 1992. Pyetjes së gazetarit të gazetës “Kosova”, Bedri Islami, se “në çfarë ligje bazoheni që u hani çamëve të drejtat për t’u kthyer në trojet stërgjyshore”, si dhe pyetjes së ish-kryeredaktorit të gazetës “Çamëria”, Bashkim Kuçuku, “Zoti Micotaqis, mund të na citoni cili është ai ligj ndërkombëtar që quan kriminel një popull prej 60 mijë vetësh, fëmijë, pleq, burra e gra, që mbetën nga lufta, pra a mund të quhen të gjithë këta kriminelë, ku është ky ligj ndërkombëtar, ku përfshihet?, zoti Micotaqis iu përgjigj: “Përsa u përket çamëve bazohemi në ligjet e Kushtetutën Greke dhe nuk dua të futem në hollësi të mëtejshme”.
Juridikisht është provuar se nuk ka asnjë akuzë kundër çamëve në bazë të Kodit Penal Grek në fuqi, por ka akuza të mbrapshta politike, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Drejtësia greke, nëpërmjet Gjykatës së Diktimit të Janinës, me nr. protokolli 1837, datë 27.0.1976, u ka dhënë drejtësinë dhe pafajësinë kolektive dhe individuale shqiptarëve të Çamërisë.
Shfaqja e shëmtuar në Derviçan, siç është shprehur Ambasador Shaban Murati, “ka pataksur edhe vetë Greqinë”! Gjithë ai “entusiazëm patriotik” progrek”, që ka bërë xheloz edhe vetë Tritanin e Pd-së, nuk është shprehje e një miqësie mbi bazë reciprociteti, por një veprim absurd, që ndan arsyen nga historia dhe është jashtë frymës evropiane. Reciprociteti nuk është një tekë, por një detyrim kushtetues. Në bisedimet shqiptaro – greke të qershorit 1995 pala greke, duke kërkuar ngritjen e memorialit në Këlcyrë për të “vrarët e luftës italo – greke”, u detyrua që të pranonte dhe të firmoste procesverbalin, ku angazhohej që të grumbullonte eshtrat e partizanëve çamë brenda tokës greke, ngritjen e një varreze të përbashkët, si dhe të një përmendoreje në kujtim të partizanëve shqiptarë të Çamërisë në kuadër të EAM-ELAS-it, rënë për çlirimin e Greqisë kundër një armiku të përbashkët. Është fakt historik se vetëm në komandën e Divizionit të 8-të, regjimenti i 15-të i ELAS-it, si dhe në radhët e batalionit të quajtur “mikst” (shqiptaro-grek) kanë luftuar 500 partizanë çamë, mbi gjakun e të cilëve zyrtarët grekë kanë hedhur dhe vazhdojnë të hedhin baltë dhe akuza fyese.
Pse u hoq dorë nga kërkesat e formuluara dhe të nënshkruara nga të dyja palët më 7 qershor 1995? Përse nuk flitet për detyrimin grek, të nënshkruar prej saj, për mbledhjen e eshtrave të partizanëve çamë, për varrezën çame në Greqi, apo për një përmendore në përkujtim të të rënëve?
Vendosja e bustit të Micotaqisit është një akt që ka cënuar edhe dispozitivat juridike. Është shkelur “ligji për pakicat kombëtare”, që përcakton se organet e njësive vendore , ku mbi 20 përqind e banorëve i përkasin një pakice kombëtare, krahas gjuhës shqipe mund të vendosin të emërtojnë edhe në gjuhën e pakicës përkatëse, në këtë rast në greqisht, emërtime të rrugëve, shesheve dhe treguesve të tjerë topografikë.
Po ashtu është shkelur VKM nr. 446 , datë 5.3.2008 “Për përcaktimin e emërtimeve të parqeve, shesheve, bulevardeve e rrugëve”, ku përcaktohet renditja e emërtimeve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.
Vërtet Derviciani i përket një zone minoritare, por ekzistenca e minoriteteve kombëtare nuk duhet të shkelë të drejtat elementare të shqiptarëve, që nuk mund të shkojnë të vizitojnë Derviçianin me përkthyes.
Në këto rrethana ai bust duhet hequr pasi jo vetëm frymëzon idenë “vorioepirote” duke glorifikuar një antishqiptar, por edhe për shkak të shkeljeve të rënda të procedurave ligjore.
Rruga Press