Szunyog dënon dëmtimin e veturave të mediave në veri
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka dënuar dëmtimin e veturave të ekipeve të mediave të cilat po raportojnë prej veriut të vendit.
Ai ka thënë se gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre, përkundër situatës së tensionuar.
“Bashkimi Evropian dënon dëmtimin e sotëm të makinave që i përkasin KallxoLive dhe RTV Dukagjini. Edhe pse situata e sigurisë në veri është e tensionuar dhe e vështirë, gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre”, ka shkruar ai.
Gjatë ditës është raportuar për dëmtimin e disa veturave të mediave të cilat po raportojnë nga veriu i vendit.
Njërës prej tyre i është vënë zjarri.
Disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Pesë policë mbetën të lënduar ndërsa katër vetura u dëmtuan, si pasojë veprimeve të protestuesve.
Kryetarët shqiptarë kanë dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të vendit, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lisa Serbe, me përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Rruga Press