Sport

Sylvinho për mediat braziliane: Shqiptarët janë të jashtëzakonshëm, kemi bërë punë të shkëlqyer

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka ndarë optimizmin dhe emocionet e tij përpara sfidës vendimtare ndaj Polonisë, duke e cilësuar rrugëtimin aktual si një moment historik për futbollin shqiptar. Në një intervistë për mediat braziliane, tekniku kuqezi theksoi vështirësinë e përballjes së radhës, por edhe besimin e plotë te skuadra që drejton.

“Kemi ndeshjen me Poloninë që është shumë e vështirë dhe nëse kualifikohemi, do të luajmë me Ukrainën ose Suedinë. Është një arritje e jashtëzakonshme për Shqipërinë. Kemi bërë një punë të shkëlqyer me djemtë dhe kemi besim”, shprehet Sylvinho, trajner i Kombëtares.

Lexo më shumë  Robert Lewandowski për Shqipërinë: I respektojmë, kjo për ne është finale. Shqipëria gjithmonë ka qenë një rivale e vështirë për ne

Përtej fushës, trajneri brazilian ndaloi edhe te përvoja e tij në Shqipëri, duke e cilësuar atë unike në karrierën e tij.

“Unë kurrë nuk jam trajtuar në këtë mënyrë si në Shqipëri. Shqiptarët janë shumë të sjellshëm, sidomos me të huajt. Unë kam luajtur në klube dhe qytete të mëdha, por kurrë nuk jam ndier si në Tiranë. Më ndodh shpesh që të shkoj në restorant me bashkëshorten dhe në fund të më thonë që faturën e ka paguar dikush aty ngjitur. Shqiptarët janë të jashtëzakonshëm”, shton ai.

Tekniku kuqezi e mbylli mesazhin e tij me një ton realist, por optimist, duke theksuar se Shqipëria duhet të mendojë hap pas hapi në këtë rrugëtim drejt një ëndrre të madhe.

“Do të isha hipokrit nëse do të thosha që nuk e kam parë shortin për të kuptuar se me kë do të luajmë në rast kualifikimi. Por ne jemi të fokusuar maksimalisht vetëm te ndeshja me Poloninë”, shprehet trajneri i Kombëtares.

YouTube player