Sveçla: Vuçiqi drejtpërdrejt i përfshirë në përgatitjen e grupit terrorist të Banjskës. Kosova është e përgatitur për çdo skenar.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar.
Në një intervistë për “euronews.al”, Sveçla ka thënë se për këtë Kosova ka dëshmitë e mjaftueshme.
“Tani e dimë se para sulmit në Banjskë, ky grup është trajnuar në një poligon zyrtar ushtarak të Serbisë. Së fundi, Vuçiqi e vizitoi këtë poligon, në të cilin ushtria e rregullt serbe pati një trajnim ushtarak. Kemi incizimet, kemi pranim-dorëzimet e armatimit nga magazinat e ushtrisë për këtë grup terrorist. Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiqi ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë”, ka thënë ai të martën.
Sveçla ka thënë se Kosova i ka skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e duhur të kapaciteteve për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia.
Rruga Press