Lajme

Sveçla: Veriu ishte ‘El Dorado’ i kriminelëve për 20 vite

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për mediumin serb N1 ka thënë se veriu i Kosovës ishte “El Dorado” për kriminelët në 20 vitet e kaluar. “El Dorado” ishte term i përdorur nga perandoria spanjolle për qytetin që thuhet se ishte shumë i pasur me ar.

Sveçla deklaroi se ka pasur qindra ankesa nga qytetarët në veri, të cilët thotë se ishin nën presionin e grupeve kriminale.

“Duhet të kuptojmë një gjë, ajo zonë ishte si ‘El Dorado’ për kriminelët. Kemi kriminelë që janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër apo e mesme, falë veprimtarisë kriminale që tolerohet në atë zonë prej më shumë se 20 vitesh. Kam marrë dhjetëra, në mos qindra, ankesa nga qytetarët atje, të cilët ishin nën presionin e grupeve kriminale. Nuk është se grupet kriminale duan vetëm të pasurohen, por me sjelljet e tyre arrogante dhe banditeske janë pengesë për jetën normale atje. Prandaj, imperativi ynë është vendosja e ligjshmërisë atje” – tha ministri Sveçla për N1.

Lexo më shumë  Agjencitë botërore e quajnë Vuçiqin president populist

Si shembull, për ekzistimin e lidhjes mes krimit dhe politikës, ai përmend Milan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe që, thotë ai, gëzon mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Kur analizojmë situatën e sigurisë në veri, kuptojmë se nuk është vetëm një krizë e fundit. Veriu i Kosovës, pra katër komunat në veri të Kosovës, si zonë ishin si një ‘vrimë e zezë’ në sundimin e ligjit. Kjo është një zonë e karakterizuar nga një nivel i jashtëzakonshëm i kontrabandës së mallrave, ku lloje të ndryshme të veprave kriminale kanë ndodhur vazhdimisht dhe pa u ndëshkuar” – thotë Sveçla.

Lexo më shumë  Procesohet subvencioni i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor

Ai rikujton se vetëm në muajt e fundit Policia e Kosovës ka zbuluar pesë laboratorë droge në veri, si dhe punëtori për nxjerrjen e bitcoin-it që punonin “në të zezë”.

“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, veçanërisht mallra me akcizë dhe u përballëm me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë kriminale. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje shumëkombëshe. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale të përbëra nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, edhe nga Kosova edhe nga Serbia” – thekson Sveçla.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *