KryesoreLajme

Sveçla: Sulmohet Policia e Kosovës në veri

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se të premten, 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa është nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të nisur ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.

Sipas tij, sulmi i dytë ka ndodhur përmes gjuajtjes me gurë drejt Policisë së Kosovës.

Lexo më shumë  Hiqet masa e arrestit në shtëpi për kreun e opozitës Sali Bershia

Sulmi i tretë në mbrëmjen e së enjtes është bërë me armë zjarri dhe ka ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla, sqaroi se rastet e fundit nuk janë bërë publike në fillim për t’i dhënë kohë policisë për t’i zbuluar shkaktarët.

Por, siç shtoi ai, me sulmin e së premtes ku është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve policorë, “këtu tash nuk kemi dyshime, ky është sulm terrorist dhe kemi vlerësuar që është e pashmangshme që këto informata të mos ndahen me publikun për të parandaluar çfarëdo lloj dezinformate”.

“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.

Sfeçla, po ashtu, ka thënë se këto ngjarje konfirmojnë “panikun e grupeve për shkak të përmirësimit të sundimit të ligjit”, duke mos dashur të përmendë se cilat janë ato grupe, pos që ato po i sulmojnë institucionet legjitime të Kosovës.

Lexo më shumë  Kurti takon arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq

Ndërkaq, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.

Mehmeti ka theksuar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen qetë e të sigurt dhe se duhen të dinë se kur grupet kriminale pengohen, kur iu ndërpriten mënyrat e financimit të aktiviteteve kriminale, “sigurisht që bëhen më nervoz dhe më të tendosura”.

Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.

Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale./REL/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *