Sveçla përgenjështron Burim Ramadanin: Nuk jam sulmuar asnjëherë në Ujman
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mohuar të jetë sulmuar ndonjëherë në Liqenin e Ujmanit.
Ky reagim i Sveçles ka ardhur si rezultat i një deklarate të ish-inspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, i cili tha se në fillim të korrikut ministri i Brendshëm është gjuajtur me armë gjatë qëndrimit të tij në Ujman.
“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me AK 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”, ka shkruar Sveçla.
Ministri ka shtuar se nuk do të reagonte ndaj kësaj “gënjeshtre”, por Ramadani ka pasur një pozitë të lartë.
“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore.
Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikësojnë as nuk na zmbrapsin. Unë veç lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje”, ka shkruar Sveçla.
Ministri shtoi se viziton Kukësin, Tropojën edhe vendet tjera sepse ka një amanet.
“Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje”, ka shkruar Ramadani.
Ramadani mbrëmë në emisionin “Pressing” tha se e kanë “të konfirmuar” se në fillim të këtij muaji Sveçla është sulmuar.
“Ne e kemi dhe është e konfirmuar, nëse jo le të del ministri i Brendshëm dhe ta demantojë. Në fillim të korrikut e kanë gjujtë ne Ujman, e kanë gjujtë me kallash edhe ka ikë. Bile po bëjnë hajgare po thonë në Kukës ka shku. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjujtë me kallash edhe janë largu kanë ikë”, tha ai.
Rruga Press