Sveçla pas mbylljes së pompave të derivateve të Radojciqit: Damari i Gazpromit rus nuk ka vend në Kosovë
Ministri i Punëve Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas mbylljes së tri pompave të derivateve në veri të Kosovës.
Ministri Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite.
“Në kontrast me përvojën e hidhur për më shumë se dy dekada kemi dëshmuar se sundimi i rendit dhe ligjit është i mundshëm kudo nëpër Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës sot ka asistuar AKP-në në lirimin e hapësirave të saj në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pas konfirmimit se ato po keqpërdoreshin nga pompat e derivateve të cilat i janë shmangur obligimeve ndaj institucioneve të Republikës së Kosovë.
“Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, për keqpërdoruesit ballafaqim me ligjin. Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘Nis Petrol’, damar i Gazpromit rus, nuk ka vend në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, ua ka ndërprerë veprimtarinë tri pikave të karburantit në veri të Kosovës, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ua ka ndërprerë kontratat e qirasë.
Në një komunikatë për media të AKP-së është thënë se qiramarrësit e pikave të karburantit në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok kanë punuar pa licencë dhe dy prej pikave as nuk kanë qenë të fiskalizuara.
Policia e Kosovës ka thënë se e ka ndihmuar AKP-në në ndalje të punës së pikave.
Rruga Press