Sveçla në Slloveni: Republika e Kosovës mbetet aktive dhe e gatshme për bashkëpunim me qëllim të luftimit të çdo ilegaliteti që cënon sigurinë, paqen dhe stabilitetin
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në forumin e ministrave të brendshëm në Slloveni, në kuadër të procesit të BRDO-s, ku ka diskutuar për sfidat e sigurisë në rajon.
Në fjalën e tij, Sveçla ka theksuar rreziqet reale të kohës, si terrorizmi dhe trafikimi me qenie njerëzore, duke kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit mes vendeve për t’i luftuar ato në mënyrë efektive.
Ai ka vënë në pah rezultatet e Kosovës në luftën kundër terrorizmit, por ka theksuar edhe sfidat e vazhdueshme nga Serbia, e cila, sipas tij, po përpiqet të destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë.
“Sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023 vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur, me kryesitë e krimit ende të arratisur,” ka deklaruar Sveçla. “Vetëm në gjysmën e fundit të vitit 2024, në Kosovë kanë ndodhur 11 sulme që përfshijnë përdorimin e pajisjeve shpërthyese, përfshirë sulmet ndaj Stacionit të Policisë në Zveçan dhe ndërtesës së Komunës, si dhe ndaj kanalit të ujit Ibër Lepenc në Zubin Potok, i cili furnizon Kosovën me 60 përqind të ujit të pijshëm.”
Sveçla ka theksuar se Kosova mbetet një histori suksesi në luftimin e formave të tjera të terrorizmit dhe se po fokusohet në parandalimin strategjik. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke kërkuar goditjen e rrjeteve kriminale dhe mbrojtjen e viktimave.
“Republika e Kosovës mbetet aktive dhe e gatshme për bashkëpunim me qëllim të luftimit të çdo ilegaliteti që cënon sigurinë, paqen dhe stabilitetin,” ka përfunduar Sveçla.
Në forum ishin të pranishëm edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, dhe Komisioneri për Punë të Brendshme dhe Migrim, Magnus Brunner. /kosovanews/
Rruga Press