KryesoreLajme

Sveçla jep detaje për aksionin e Policisë në veri të Mitrovicës

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, pas aksionit në veri ka thënë për më shumë se 20 vite, veriu kryesisht ka jetuar në ilegalitet, pasi grupet dhe veprimtaritë kriminale kanë lulëzuar e paradoksalisht kanë qenë normaliteti.

Por sipas tij, ky realitet i mëparshëm po zbehet ditës-ditës. “Qytetarët tanë pa dallim kërkojnë rend, ligj e siguri”.

“Pas informacioneve të pranuara, sot në Mitrovicën e Veriut është kryer një aksion i suksesshëm nga Policia e Kosovës në një banesë në rrugën e Kolashinit, saktësisht në katin 11 tek tre rrokaqiejt”.

“Në banesë janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llampë elektrike për laborator, municion 51 fishekë dhe 8 mjete shpërthyese të improvizuara”, ka shkruar Sveçla.

Lexo më shumë  Kryeministri australian pranon me krenari rrënjët arbëreshe: Kam lidhje me Shqipërinë

Ai shton se fakti i sotëm është dëshmi e trefishtë:

“Është një dëshmi më shumë për sulmet ndaj zyrtarëve tanë policorë,  pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve dhe qytetarëve të zakonshëm.

Është dëshmi lidhur me kontingjentin e kriminelëve argatë të idesë fashiste të Vuçiçit: bota serbe. Bota serbe është gjithnjë e dizajnuar mbi krimin.

Është dëshmi e arsyes së vërtetë se përse Vuçiqi dhe argatët e tij kundërshtojnë faturimin dhe pagesën e energjisë së shpenzuar”, thekson tutje.

Ministri thotë se aksioni është arritur falë dhe bashkëpunimit të qytetarëve të pjesës veriore, në luftën ndaj krimit të organizuar si dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë.

Lexo më shumë  Rikonstruksioni i komisariateve/ SPAK çon në gjykatë një tjetër deputet të Ramës, Plarent Ndrecën

“Kjo është një nga shembujt që mbështet të dhënat e raportit të UNDP-së. Në këtë raport theksohet se është rritur ndjenja e besueshmërisë dhe sigurisë tek qytetarët tanë të minoritetit serb”.

“Për vite me radhë, në veri shteti është sfiduar nga ekstremistë e kriminelë ordinerë. Ata kanë patur dy motive: pasurimin e jashtëligjshëm dhe luftimin e shtetit të Kosovës. Adresa, shtysa dhe financimi gjithmonë mbetet në Beograd, ku Vuçiqi me bandat e kriminelët e tij ka tentuar dhe vijon të tentojë minimin dhe destabilizimin e shtetit tonë”.

“Veriu po ecën drejt normalitetit. Serbia nuk do ta cenojë shtetin tonë në asnjë cep të vendit”, shkroi ministri në Facebook.

Rruga Press

YouTube player