Sveçla flet për zgjedhjet në Veri: Strukturat kriminale serbe nuk po munden më të mobilizojnë qytetarët tanë serbë
Komunat e veriut të Kosovës shkuan të zgjedhje të jashtëzakonshme të dielën e 23 prillit, pas dorëheqjes së zyrtarëve serb nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar. Për të folur për situatën në veri dhe për procesin e zgjedhjeve të parakohshme ka qenë i ftuar në RTK mbrëmjen e së martës Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z. Xhelal Sveçla. Më poshtë kemi shkëputur disa fraza kyçe të Ministrit Sveçla nga intervista e tij në RTK Prime.
- Si rezultat i angazhime jo vetëm të së dielës, ne tashmë kemi katër kryetarë të zgjedhur në këto katër komuna. Kishim një proces zgjedhor të qetë, të mirëorganizuar dhe presim që si pasojë të prodhohet një realitet i ri atje. Unë e shoh si një ditë të mbarë për vendin, pavarësisht se kishte një numër të vogël të daljes në votime nga shtetasit tanë të komunitetit serb.
- Të gjithë shtetasit atje, pavarësisht etnisë, për vite të tëra kanë qenë subjet i presioneve, shantazheve dhe dhunës sistematike të grupeve kriminale, të strukturave paralele të Beogradit drejtpërdrejtë apo edhe të strukturave të sigurisë serbe. Në vazhdimësi, me vite të tëra ky komunitet ka qenë i shtypur.
- Për shkak të rrethanave të caktuara qeveria e Serbisë ka një dorë të zgjatur në shtypjen e qytetarëve tanë, shtetasve tanë me etni serbe. Po ju tregoj disa shembuj. Vuçiqi tashmë deklaroi se ekziston një listë e serbëve lokalë të këtyre katër komunave, që do të arrestohen sapo të kalojnë në Serbi. Ky për qytetarët e zakonshëm është një lajm goxha i rëndë. Mos të harrojmë se ata neve na akuzonin për lista, kurse presidenti i tyre del e thotë se ne kemi listë për të arrestuar, siç i quan ai, ‘tradhtarët, shkelësit e kushtetutës së Serbisë’. Pra mundësia që shtetasit tanë të komunitetit serb të arrestohen kur të kalojnë në Serbi është evidente.
- Ne jemi në proces të zgjidhjes së problemit, që është ndikimi serb nepërmjet presionit e shantazhit tek komuniteti serb në Kosovë. Rezultat i këtij procesi janë edhe arrestimet e fundit që kanë ndodhur në veri, drejtuar eksponentëve me radikal të tyre. Të gjithë ata që ishin në organizim të djegies së veturave tashmë janë identifikuar, kreu i tyre është i arrestuar në burgun e sigurisë së lartë në Dyz. Por ka edhe raste të tjera ku policia jonë, qoftë me prezencë, por sidomos me hetime dhe inteligjencë është duke i targetuar. Ky proces ka treguar rezultatet e para, por patjetër që duhet kohë. Duhet të kuptojmë një gjë. Kemi dy diferenca mes Kosovës e Serbisë: 1. Ne jemi një shtet demokratik, Serbia nuk është shtet demokratik; 2. Ne shfrytëzojmë instrumentet legale, kurse Serbia shfrytëzon grupet e ndryshme kriminale, të cilët janë të sanksionuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
- Ky realitet është histori 23-vjeçare. Mos të harrojmë që ne në Mitrovicën e veriut ishim shumicë. Por që gjatë e menjëherë pas luftës e sidomos me 3 e 4 shkurt të vitit 2000, ata bënë një spastrim etnik të cilin pastaj në vazhdimësi janë munduar që ta thellojnë dhe ta legjitimojnë. Në anën tjetër kemi pasur kinse integrim të strukturave paralele kriminale. Çfarë situate kishim? Ne kishim individë të cilët me uniformë të policisë, me armë të policisë, me pagat që ne u jepnim, i shërbenin Beogradit, drejtpërdrejtë. E kjo nuk ishte as sekret. Kjo gjë nuk ishte ndonjë problem i theksuar për qeverisjet e mëhershme dhe herë-herë nuk ishte problem as për strukturat e ndryshme të sigurisë.
- Unë i them Serbisë le t’i ndalë veprimet e paligjshme, le ta ndalë agresionin ndaj Republikës së Kosovës, le të ndalë dhunën e grupeve kriminale ndaj shtetasve tanë të etnisë serbe dhe pastaj e shohim se si do jetë situata në veri. Në regjistrimin e veturave me targa legale kishim një kërcim të jashtëzakonshëm të regjistrimeve, që e ndërprenë duke djegur veturat, pronën private të shtetasve tanë. Mos t’i djegin edhe e shohim pastaj se si zbatohet ligji aty. Pra nuk qendron argumenti se komuniteti serb është duke bojkutuar institucionet e Kosovës. Komuniteti serb është i shtypur prej bandave kriminale të Serbisë dhe është në anën tjetër i ballafaquar me nevojën për të zbatuar ligjet e Kosovës.
- Strukturat kriminale serbe nuk po munden më të mobilizojnë qytetarët tanë serb. Për të vertetuar këtë gjë do të përdor një raport të kohëve të fundit të punuar nga OJQ Aktiv, Paceful Change dhe LuginaLajm për besueshmërinë në veri të Kosovës. ‘Zyrës Koordinuese për Kosovë dhe Metohi’, siç e quajnë ata, qytetarët i besojnë 4.9%, pra Petar Petkoviqit. Kryetarëve të Komunave të deritanishëm u kanë besuar 1.5% e qytetarëve. Në veri të Kosovës mediave serbe u kanë besuar 2.8%. Ndërsa OJQ-ve u kanë besuar 11.9%. Listës Serbe i kanë besuar 2.4%. Kjo do të thotë që qytetarët atje janë mosbesues ndaj atyre që shpallen sikur i përfaqësojnë ata qytetarë.
- Problemi kryesor dhe i vetëm në këto zgjedhje është numri i vogël i shtetasve tanë të etnisë serbe të cilët kanë qenë subjekt i shantazhit, madje shantazhit publik. Serbia nuk po tenton as me e fsheh.
Më poshtë gjeni intervistën e plotë:
Rruga Press