KryesoreLajme

Sveçla e lidh protestën dhe përgjimin e Buzhalës me luftën hibride nga Serbia

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren në raport me kryeministrin Albin Kurti, dhe sipas tij, tani Vuçiq po tenton të nxisë trazira brenda Kosovës përmes luftës hibride. Si nxitje të trazirës, Sveçla e ka konsideruar protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paralajmëruar për sot.

Siç ka shkruar Sveçla, meqë Vuçiqit po i dobësohet pozicioni karshi Kosovës, ai ka vendosur t’i kthehet luftës hibride përmes dezinformatave, duke iu referuar incizimin të publikuar nga “Nacionale” ku përfshihen në bisedë shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

“Vuçiqi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar. Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Lexo më shumë  Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës

“I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit. Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë”, ka shkruar tutje Sveçla.

Ministri i Brendshëm ka thënë se është e çuditshme që protesta e sotme në Prishtinë, që sipas tij vjen si rezultat i keqinterpretimeve, organizohet në të njëjtën ditë sikur në Beograd. Protesta, siç ka shkruar Sveçla, po organizohet nga njerëz që në deklarata publike kanë thënë se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.

“Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, ka shkruar tutje Sveçla.

Sveçla ka thënë se mbetet të shihet nëse qytetarët e Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, “apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”.

Veteranët e UÇK-së do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të shtunën nga ora 18:00. Në njoftim ndër të tjera thuhet se do të protestohet kundër skandaleve qeveritare që prekin veteranët. 

Rruga Press

YouTube player