KryesoreLajme

Sveçla: As që bëhet fjalë të plotësohet kërkesa e Vuçiqit për kthimin e ish-policëve në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk bëhet fjalë që të plotësohet kërkesa e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ish-policët e dorëhequr në veri, të rikthehen sërish në punë. 

Të dielën në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Sveçla ka thënë se kjo do të ishte shkelje e Kushtetutës së Kosovës.

Dorëheqjen e një mase të policëve nga komuniteti serb, Sveçla e ka quajtur pastrim të elementit kriminal në veri. 

“Dorëheqja e këtyre zyrtarëve policorë, në fakt ka qenë po ashtu për një masë të madhe të tyre, pastrim i elementit kriminal në atë zonë. As që bëhet fjalë që të plotësohet kërkesa e Aleksandar Vuçiqit që ish-policët të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës. Kjo jo vetëm se është shkelje ligjore, por është edhe shkelje e vullnetit politik të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. 

Lexo më shumë  23 persona të shoqëruar pas protestës së opozitës në Tiranë

Derisa ka folur për punët që janë kryer gjatë qeverisjes së LVV-së, Sveçla ka përmendur edhe rastet e ngritura për krim të organizuar, terrorizëm e krim ekonomik dhe korrupsion, duke thënë se për shtatë vjet para qeverisjes Kurti, nuk është ngritur asnjë nga këto vepra penale. 

“Nga viti 2014 deri më 2021, ne nga Policia e Kosovës e atëhershme në atë zonë, kemi pasur 0 raste të ngritura për krimin e organizuar, kemi pasur 0 raste të ngritura për terrorizmin, kemi pasur 0 raste të krimit ekonomik e korrupsionit. Për shkak të marrëveshjeve të mëhershme ku në kuadër të Policisë së Kosovës janë integruar ekstremistë e banditë të ndryshëm, të cilët gjithçka kanë pasur të Kosovës ka qenë uniforma, arma, autorizimet policore, por edhe pagat, kurse në plotni i kanë shërbyer Beogradit”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Muja në Ditën e Pyjeve: Do të pyllëzojmë rreth 97 hektarë tokë

Aktakuzën për rastin “Banjska”, Sveçla e konsideroi të mangët pasi sipas tij, nuk i përfshin edhe disa zyrtarë serbë si komandantin e ushtrisë dhe zv.komandantin.

Përgjatë fjalimit në Këshill të Përgjithshëm, Sveçla tha se nuk do të kthehet qeverisja e pushteteve të kaluara, duke përmendur se “do të kemi qeverisjen Kurti 3”.

“Bashkëpunimi do të jetë i pakushtëzuar, e për dallim të qeverive të kaluara ,duhet të vazhdojë të thellohet edhe më shumë”, ka shtuar ministri i Punëve të Brendshme.

YouTube player