Sulstarova: Normalizimi s’ka ngecur te Kurti, por te mungesa e llogaridhënies së Serbisë
Profesori Enis Sulstarova ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, duke komentuar deklaratat e ish-diplomatit suedez Karl Bildt lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi.
Sulstarova thekson se Bildt “parashikon” se kryeministri Albin Kurti do ta pengojë normalizimin, ndërkohë që, sipas tij, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ia ka kujtuar qartë se Serbia është ajo që vazhdon ta minojë stabilitetin në rajon.
Sipas Sulstarovës, problemi kryesor i normalizimit nuk qëndron te moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Kosova, por te mungesa e llogaridhënies së Serbisë për veprime konkrete agresive. Ai përmend sulmin terrorist në Banjskë, sabotimin e kanalit të ujësjellësit dhe akte të tjera armiqësore të Serbisë kundër Kosovës.
“Diplomatët ndërkombëtarë mund të duan t’i harrojnë këto ngjarje dhe të sillen sikur nuk kanë ndodhur, por Kurti dhe presidentja Osmani do t’ua kujtojnë ato në çdo tryezë,” ka theksuar Sulstarova.
Ai nënvizon se pa drejtësi dhe përgjegjësi për këto raste, procesi i normalizimit nuk mund të ecë përpara në mënyrë reale dhe të qëndrueshme.
Rruga Press

