Argument

Sulstarova: “Në Kosovë vota ka vlerë” – Aksionet kundër strukturave ilegale të Serbisë, produkt i votës

Profesori i teorisë politike, Enis Sulstarova, ka reaguar përmes një postimi lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ku institucionet kanë marrë kontrollin mbi objektet publike të uzurpuara nga struktura ilegale të Serbisë. Në fokus të komentit të tij është rasti më i fundit i Postës së Serbisë që operonte në mënyrë të paligjshme në Shtërpcë, tashmë e zëvendësuar nga Posta e Kosovës, pas një veprimi të ngjashëm në Graçanicë.

Ky proces i spastrimit të strukturave të paligjshme të Serbisë, shkruan Sulstarova, është një rrjedhojë direkte e vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet që sollën në pushtet Qeverinë Kurti 2. Ai thekson se në Kosovë “vota ka vlerë” dhe se veprimet e qeverisë aktuale në funksion të konsolidimit të shtetësisë janë fryt i kësaj vote.

“Spastrimi që po vijon i strukturave të paligjshme të Serbisë është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e votës për qeverinë Kurti 2,” shprehet studiuesi dhe publicisti Sulstarova.

Megjithatë, profesori ngre shqetësimin për bllokimin institucional që po vjen nga partitë e rendit të vjetër, Lista Serbe dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat, siç thotë ai, po veprojnë në frymën e revanshizmit dhe po e pengojnë ardhjen e një Qeverie Kurti 3 dhe se kjo është rrjedhojë e votës nën 51% për LVV-në në votimet e fundit. “Po rrezikojnë shtetësinë, vetëm e vetëm që ta pengojnë ardhjen e qeverisë Kurti 3,” shton ai.

Në fund, Sulstarova apelon për zgjuarsi politike në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke thënë:

“Është shansi që votuesit të orientohen drejt, pra ta shquajnë se kush po ndërton shtetin dhe fuqizon publiken, si në nivel vendor, si në nivelin qendror.”

Rruga Press

YouTube player